TIRANË

Vijojnë përplasjet mes policisë dhe banorëve te ‘Bregu i Lumit’ në Tiranë. Partia Demokratike shprehet se edhe këtë të mërkurë, fadroma të shumta kanë shkuar në zonë për të prishur shtëpitë e mbetura.

Sipas saj, situata është e tensionuar dhe banorët janë përplasur fizikisht me policinë teksa kundërshtojnë me forcë prishjen e banesave, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim financiar sipas çmimit të tregut.

Selia blu ka shpërndarë edhe një video të shkurtër, ku dallohet qartë se banorët janë përplasur dhe konfrontuar me policinë. Nga raportimet e terrenit, PD-ja thekson se Policia ka vepruar dhunshëm ndaj një vajze, banore e Bregut të Lumit.

Banorët shprehen se forcat policore janë më të shumta se herën e kaluar, kur policia përdori gaz lotsjellës për të nxjerrë nga shtëpitë banorët që kundërshtojnë prishjen e shtëpive. Policia ditë më parë përdori gaz lotsjellës ndaj banorëve me qëllim që t’i largonte nga shtëpitë e tyre. Ky akt është dënuar ashpër nga Partia Demokratike teksa një veprim të tillë e ka cilësuar si “kriminal”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb