TIRANE – Partia Demokratike denoncon kryeministrin Rama se do të shpërblejë me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të tij. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj tha se “pas pak orësh, sipas porosisë së Edi Ramës, OSHEE do hapë zarfet për të shpërblyer me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të kryeministrit me të cilin ai ka marrie e dhënie që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës”.

Sipas PD-së, “masha që përdoret në këtë rast, është OSHEE-ja, dhe paratë që do jepen për ndërtuesin e Edi Ramës janë marrë me kërbaç, me dhunë e me burg, me jetë njerëzish, nga shqiptarët e varfër e të pamundur Paratë e gjakut të shqiptarëve, janë paketuar, janë bërë gati, pra plot 5 miliardë lekë, për t’iu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës”

Partia Demokratike, i shtron disa pyetje OSHEE-së:

A është paracaktuar fituesi për tenderin e godinës së kësaj organizate?

A janë bërë kriteret enkas për fituesin e paracaktuar?

Pse nuk ka transparencë për paratë e shqiptarëve?

Pse shpenzohen paratë e mundit, e gjakut të shqiptarëve për zyra të reja e për luks?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë aferë korruptive?

REAGON OSHEE: PROCESI I PROKURIMIT TRANSPARENT, NIS E MBARON ONLINE

OSHEE ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike, duke theksuar se procesi i prokurimit është transparent dhe zhvillohet i gjithi elektronikisht. Sipas OSHEE-së, “PD  përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste, duke përmendur “hapje zarfash”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të PD-se, drejtuar kompanisë, OSHEE sqaon se: “Me procedura transparente, kritere të publikuara online në APP dhe ku mund të marrë pjesë kushdo, PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e “zarfit”. I gjithë procesi nis dhe mbaron online, ku kushdo mund të shikojë dhe të marrë pjesë në garën për tender”.

“Në lidhje me shpenzimet e luksit, i kujtojmë PD-së, por me këtë rast sqarojmë edhe publikun, se OSHEE po i jep fund praktikës së pagesës me qira të ambienteve aktuale ku ushtron funksionet, kontrata me kosto 2 milionë USD, nënshkruar në kohën kur qeveriste e djathta. PD duhet të heshtë para këtij projekti, pasi OSHEE po i jep fund shpenzimeve në dëm të buxhetit, dhe pas një kohë disa vjeçare me qira, ka projektuar rikonstruksionin e ndërtesës së re, moderne dhe shumë funksionale, e cila do të jetë pronë publike e kompanisë, me vendim qeverie.”- vijon deklarata.

Sipas OSHEE-së, ‘mbase PD nuk i intereson përmirësimi i shërbimit ndaj klientit, ndërtimi zyrave për kujdesin ndaj abonetit, që sot janë në kushte mizerabël. Mbase PD nuk i intereson prishja e këtyre kontratave të lidhura nga ajo, në dëm të OSHEE-së. Mbase PD-së nuk i intereson performanca aktuale e kompanisë, e cila ka dalë nga gropa e falimentimit dhe së bashku me ndërgjegjen e qytetarëve për pagesat e faturave, bëri të mundur që sot OSHEE jo vetëm të nisë investimet me fondet e veta, pa cënuar buxhetin e shtetit, por edhe të paguajë taksat.”

“Kompania po investon anembanë vendit, nga veriu në jug. Janë hedhur 50 milionë dollarë investime, kantiere të hapura, për të modernizuar rrjetin, e cili sot është i kalbur. Po vendosen linja të reja në Sarandë, do ndërtohen dy nënstcaione të reja në Himarë dhe Orikum, po shtrohet rrjet i ri 20 KV në qytetet kryesore, po rikonstruktohen 3 nënstacione kryesore në Tiranë dhe Durrës, kurse në Shkodër, Lezhë, Korçë, Elbasan, etj, po vendosen pajisje moderne për kabina, linja dhe shtylla të reja.  Të gjitha këto me fondet e OSHEE, falë ndërgjegjësimit dhe rikthimit të ligjshmërisë në pagesën e faturës së energjisë elektrike.”- përfundon deklarata.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: