TIRANË – Një fëmijë vetëm 5-vjeç është mbajtur për një kohë relativisht të gjatë, së bashku me nënën e saj, në qelinë e izolimit të Komisariatit nr.3 në Tiranë, në shkelje të të gjitha konventave europiane për të drejtat e njeriut dhe fëmijëve.

Izolimin e vogëlushes nga policia e ka deklaruar sot dhe ilustruar edhe me fotografi, Ervin Salianji, drejtor i Departamentit për të Drejtat e njeriut. Në krye të një grupi deputetësh demokratë, ai ka protestuar para Komisariatit nr.3.

Sipas PD-së, vogëlushja është mbajtur në komisariat nga nëna e saj, e cila ishte arrestuar për shkakun se nuk mund të paguante faturat e larta të energjisë elektrike duke qënë e papunë dhe pa përkrahje ekonomike.
Salianji duke treguar foton  e vajzes te bere brenda ne qeli-

Lidhur me këtë, Salianji tha: “Marrëzia, papërgjegjshmëria dhe pashpirtësia e kësaj qeverie nuk ka fund. Tek ky komisariat, Komisariati nr.3 në Tiranë, është shoqëruar dhe mbajtur e izoluar kjo fëmijë 5 vjeç, ç’ka duket nga fotot që vajza është mbajtur për një kohë të gjatë në qelinë e izolimit, në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Deklaratën e Pekinit.

Shoqërimi i fëmijës është bërë për shkak se nëna e saj nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike. Qeveria po arreston dhe po shoqëron njerëzit e pamundur dhe të varfër, fukarenj, dhe po promovon kriminelët, personat me precedent penal, vjedhësit e energjisë, duke i bërë drejtorë. Qeveria po lejon në rrugë kriminelët dhe po izolon si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore fëmijët.

Identitetin e vajzës nuk e bëjmë të ditur për shkak se është minorene por në datën 30 nëntor, sipas dëshmisë së nënës së vajzës së ndaluar me inicialet N.N, janë izoluar në komisiariat”, tha Salianji.

REAGON MPB: GRUAJA I KËRKOI VETË POLICISË TA MERRTE FËMIJËN ME VETE

Lidhur me akuzat e PD-së për shoqërimin në Komisariatin nr.3 të një fëmije së bashku me nënën, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se gruaja që u shoqërua për lidhjen e energjisë, i kërkoi vetë policisë ta merrte fëmijën me vete.

“Në datë 30 nëntor, në ora 13:00, grupi i punës së OSHEE-së, ka konstatuar një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në rrugën “Jordan Misja” Tiranë, pallati Gener 2, kati 5, pasi në datë 25 nëntor i ishte ndërprerë lidhja me energji për shkak të debisë së krijuar nga mospagimi i faturave në shumën rreth 500 mijë lekë.  E dyshuar për vjedhjen e energjisë është shtetësja N.N. dhe këtë arsye është shoqëruar në Komisariat. Ajo me dëshirën e saj i ka kërkuar policisë të marrë me vete fëmijën. Për këtë arsye në ambientet e Komisariatit nr. 3, iu krijua mundësia që të qëndrojë në një ambient të përshtatshëm gjatë kohës së marrjes në pyetje, dhe jo tek dhomat e të shoqëruarve. Ajo sqaroi se kontrata rezulton në emër të bashkëshortit të saj. Shtetësja N.N, pranoi se në datë 30.11.2014 e ka rilidhur vetë në matës energjinë elektrike, të ndërprerë nga OSHEE.”- bën të ditur Ministria e Brendshme.

“Pas konsultimit me Prokuroren, shtetësja N.N u la e lirë, ndërsa materialet proceduriale në ngarkim të saj i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.  Policia e Tiranës ka shoqëruar me mjetet e saj për në banesë shtetasen N.N. së bashku me fëmijën.”- thuhet në njoftimin e MPB-së.

POLICIA: GRUAJA NA THA NUK KAM KU TA LË VAJZËN

Edhe Policia e Shtetit ka reaguar sot për rastin e një gruaje, vajza e mitur së cilës është fotografuar në ambientet e policisë, teksa nëna ishte e dyshuar për lidhje të paligjshme të energjisë.

 

Sipas policisë, gruaja nuk ka qenë në izolim por në dhomën e intervistave, ndërsa thuhet të ketë deklaruar se vajzën e merrte me vete pasi nuk kishte ku ta linte.

 

 

“Shtetësja N.N., është paraqitur tre herë në këtë Komisariat brenda 3 ditëve të fundit, së pari me iniciativë të saj për të denoncuar fqinjin se e ka ngacmuar seksualisht, ditën e dytë është denoncuar nga një fqinje për fyerje dhe ditën e tretë e dyshuar për vjedhje energjie. Në asnjë prej rasteve nuk është shoqëruar apo izoluar, por ka ndenjur në dhomën e intervistave. Ajo të treja ditët ka marrë fëmijën me vete, me pretendimin se nuk kishte ku ta linte për shkak të moshës së mitur. E gjithë kjo përpjekje, sidoqoftë nuk do të ndikojë aspak në veprimtarinë ligjore të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit rikonfirmon vullnetin e plotë për transparencë maksimale ndaj publikut, duke e konsideruar vetë transparencën si element themelor për garantimin e bashkëpunimit intensiv me publikun në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit dhe përpjekjen e përbashkët për më shumë siguri për jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë”, sqaron Policia e Shtetit.

 

Akuzat e bëra sot nga selia blu, Polica e Shtetit i konsideron qesharake, duke shtuar se “janë deklaruar të pavërteta të hidhura, ka pasur keqpërdorje të rasteve të dhimbshme, e deri te nxitja e papërfytyruar e kriminalitetit nëpërmjet përbaltjes së punës së Policisë. Desinformimi më i fundit u tentua sot, duke keqpërdorur me plot të pavërteta, për të manipuluar opinionin publik, edhe pse policia ka dëshmuar sjellje korrekte dhe qytetare”.

(ar.sh/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: