TIRANE- Partia Demokratike prezantoi sot për publikun paketën për dekriminalizimin e Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe administratës publike.

Përfaqësues i PD-së për çështjet ligjore, Oerd Bylykbashi foli për rregulla më të forta dhe të ashpra që shkojnë sa më thellë, për këtë problem kaq të rendë, siç tha ai, kriminalizimin në nivelet më të larta të institucioneve. Ai tha se PD kërkon të ndërhyet në Kushtetutë me qëllim që çdo person i inkriminuar të humbasë postin që gëzon sot.

“Ndërhyrja do të jetë imediate duke ndërhyrë drejtpërdrejt në Kushtetutë, për njerëzit me rekorde kriminale do përdoren rekordet kriminale jo vetëm për dënime në Shqipëri por dhe jashtë Shqipërisë, që në të ardhmen të mos kenë mundësi që këta persona të penetrojnë në administratë. Në platformën e PD do trajtohen rastet e krimit të organizuar, vepra që lidhen me krimin. Ne do kërkojmë masa të rrepta deri në përjashtimin përjetë për tu kandiduar apo përzgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Dikush i përfshirë në krim të organizuar nuk mund të pranohet nga qytetarët. Kjo histori të jetë e mbyllur njëherë e mirë”, tha Bylykbashi.

Ai shtoi më tej se, paketa me propozimet e plota do prezantohet ditën e mërkurë. “Do fusim instrumentat dhe procedurat efikase për identifikimin e rekordeve kriminale, këta persona do kenë detyrim të bëjnë deklarim për mospasjen e rekordeve kriminale. Do jetë një platformë e gjithanshme, do ndërhyhet në Kushtetutë me amendamente që do kenë vlerë të përhershme. vetëm fakti i dënimit do jetë kusht që këta persona të mos kandidojnë në të ardhmen”.

Deputeti Eduard Halimi theksoi se dekriminalizimi i Parlamentit nuk merr sot një përgjigje përfundimtare. Ai theksoi se për këtë proces duhet vullnet nga të gjitha partitë politike.
“Angazhimi i Parlamentit Evropian për të detyruar mazhorancën që të prishë kontratën me krimin është e qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë që është një fitore. Dekriminalizimi i Parlamentit dhe administratës publike nuk merr sot përgjigje në mënyrë përfundimtare sepse para së gjithash ky proces kaq i vështirë nuk është vetëm çështje normash por vullnet që duhet të ekzistojë te partitë politike. Ajo që prezantoi zoti Bylykbashi është tërësi normash juridike që përfshijnë ndryshime ne Kushtetutë. Vullneti i opozitës për këtë proces është fondamental. Është i hekurt”- theksoi Halimi.

Platforma e PD-së për Dekriminalizimin e Kuvendit, Institucioneve dhe Administratës Publike

Në përputhje me Rezolutën e datës 24.12.2014 të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës publike, Partia Demokratike parashtron këtë platformë për dekriminalizimin:

Qellim i platformës është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarurara si dhe i administratës publike.

Objektiv i platformës është hartimi dhe miratimi i instrumenteve kushtetues dhe ligjore për verifikimin, identifikimin dhe largimin nga funksioni, i deputetit, i të zgjedhurit vendor dhe çdo funksion tjetër të emëruar nga parlamenti në institucione kushtetuese, të krijuara me ligj, nga shërbimi civil dhe administrata publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe pengimin e zgjedhjes apo emërimit në këto funksione në të ardhmen të personave që kanë kryer vepra penale të cilat kanë cenuar besimin publik tek ushtruesit e funksioneve të zgjedhura apo emëruara.

Instrumentet kushtetues dhe ligjore, do të synojnë vendosjen e rregullave më të ashpra për dekriminalizimin, bazuar në praktiken legjislative më të spikatur europiane dhe botërore (Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Australi) në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ, me qëllim përballjen sa më efikase dhe trajtimin më të thellë tësituates së paprecedent të kriminalizimit të organeve të zgjedhura, funksioneve të emëruara dhe administratës në Shqipëri.

Veprat penale që do të përbëjnë shtyllën e platformës janë veprat penale që përbëjnë krim të rëndë në përputhje me përcaktimet e Konventës së Palermos e OKB-së e vitit 2000, duke nisur me krimin e organizuar, si dhe veprat që cenojnë rëndë autoritetin e shtetit si dhe besimin publik, ku përfshihen veprat korruptive.

Për raste të krimeve me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, do vendosim norma që pengojnë zgjedhjen apo emërimin në organe të larta të shtetit të personave që kanë rekorde të rënda kriminale, dhe që janë në proces hetimi apo gjykimi, dhe ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie personale (arrest me burg, etj), ose janë në kërkim policor ndërkombëtar.

Do të përcaktohen rregulla të qarta e të forta për të penguar kandidimin, zgjedhshmërinë si dhe për të bërë të pamundur qëndrimin në detyrë të personave që kanë kryer vepra penale. Ndalimi për t’u zgjedhur apo emëruar do tëaplikohet në mënyre të njëjtë si për dënimet e marra në Shqipëri edhe jashtë saj.

Për veprat e rënda si krimi i organizuar, propozohet që periudha e ndalimit të kandidimit apo marrjes së një funksioni publik të jetë përjetë. Një periudhë 20 vjeçare para marrjes së mandatit apo detyrës propozohet edhe në funksion të ndërprerjes së mandateve apo funksioneve aktuale.

Për krimet e rënda, masa e ndërprerjes së mandatit apo pengimi për t’u zgjedhur apo emëruar do të lidhet vetëm me faktin e ekzistencës së rekordit kriminal dhe dënimit.

Ndërhyrjet kushtetuese dhe ligjore do të jenë në dy plane. Së pari, do të trajtohet me prioritet paraqitja e amendamenteve kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e mandatit të funksionarëvetë zgjedhur apo të emëruar që mbajnë mandate aktualisht dhe që kanë rekorde kriminale të rënda. Së dyti, do të ndalohen në të ardhmen personat e dënuar,nga kandidimi, zgjedhja, emërimi dhe ushtrimi i detyrës publike.

Do të ndërhyhet në legjislacionin ekzistues për futjen e procedurave efikase për verifikimin e rekordeve kriminale të funksionarëve publikë të zgjedhur apo emëruar, në detyrë aktualisht apo në të ardhmen, si dhe për ndërprerjen e mandatit apo ushtrimit të funksionit. Këto procedura do të përfshijnë detyrimin për vetëdeklarim me përgjegjësi penale të mospasjes së rekordeve kriminale.

Për realizimin e kësaj platforme, në zbatim të rezolutës, parashikohet ndërhyrje në Kushtetutë me amendamente të përhershme dhe dispozita tranzitore, Rregulloren e Kuvendit, Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, dhe sipas nevojës, ligjet që rregullojnë emërimin në institucione kushtetuese apo të krijuara me ligj, në shërbimin civil, etj. Në funksion të harmonizimit dhe efikasitetit të zbatimit të instrumenteve të rinj, do të forcohet regjimi i mbajtjes dhe shkëmbimit të informacionit për rekordet kriminale.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/03/23-mars-platforma-PD.docx” viewer=”microsoft”]

 

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: