Mazhoranca dhe opozita mund të bashkojnë votat për një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor në funksion të lehtësimit të procedurave sa i takon votës së shqiptarëve jashtë vendit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot fjalën gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët ku foli ndër të tjera për zgjedhjet e 11 Majit dhe votën e diasporës.
I pyetur nëse PD do të bashkëpunojë me PS për të ndryshuar kodin ligjor për një shtyrje të afatit për procedurat për votën e diasporës, Berisha tha se PD është në negociata e sipër për këtë ndryshim të kodit, për deri sa i shërben transparencës së votës së diasporës.
Berisha tha se PD do të miratojë çdo kërkesë që i shërben transparencës.
“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Kemi shpallur publikisht se kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do duhen ndryshime të tjera ligjore. Ne e kemi shprehur në cilin stad se janë këto ditë dhe po negociojnë”, u shpreh Berisha.
(BalkanWeb)