TIRANE – Partia Demokratike denoncon atë që e cilëson si ndëshkim policor të porositur nga kryeministri, për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat, në shenjë proteste për çmimin e lartë të karburantit në vend.
Zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebijaj tha se “këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit”.
“Qytetarët e vendit do të ngrihen edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar. Ky regjim oligarkësh që varfëron popullin, krijon papunësi e padrejtësi do të ndalet. Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave, që nuk do të ndalen, derisa e keqja të shkulet me rrënjë.”- deklaroi zëdhënësja e PD-së.
DEKLARATA E PLOTE
Menjëherë pas protestës së qytetarëve kundër çmimit të lartë të karburantit, Edi Rama ka nisur hakmarrjen duke e urdhëruar policinë e shtetit në një ofensivë gjobash e ndëshkimesh për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat.
Megjithëse Policia e Shtetit ishte vënë në dijeni për këtë protestë, ajo ka marrë urdhër të gjurmojë makinat e targat, dhe të ndëshkojë qytetarët që u ngritën kundër taksave të larta të Edi Ramës.
Ky është reagimi i një oligarku që sundon mbi qytetarët dhe që refuzon të dëgjojë zërin e tyre.
Shqiptarët gjetën një mundësi për të shprehur edhe një herë shqetësimin dhe kërkesën e tyre për uljen e çmimit të naftës, duke refuzuar për 5 minuta tarifat e qeverisë.
Kjo erdhi pas kërkesave të përsëritura, por të injoruara nga Edi Rama.
Pas kësaj lëvizje masive, mbarë popullore, në çdo rrugë të Shqipërisë, pritej normalisht që kryeministri të reflektonte, sic do të bënte cdo kryeministër normal i një vendi normal.
Po cfarë bën Edi Rama. Ndëshkon me gjoba, duke thelluar politikën e tij të kërbacit ndaj qytetarëve. Pasi mban me kokëfortësi cmimin më të lartë në rajon e në Europë të karburantit për shkak të taksave të përsëritura që ka vënë, duke ndëshkuar ekonominë e cdo familjeje në vend, tani kur qytetarët protestojnë, vendos ti ndëshkojë sërish ata. Dhunë ndaj qytetarëve, e njëjta dhunë që vazhdon që prej ditës së parë kur erdhi në pushtet, teksa nga ana tjetër, Edi Rama ruan dhe konsolidon favoret dhe paprekshmërinë ndaj njerëzve të tij, ndaj klientelës së tij.
Këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit. Të tillë regjim, e ka vuajtur ky vend për shumë vite. Manovra dhe gjeste policore si këto bënte regjimi i vjetër në agoninë e tij.
Qytetarët e vendit do të ngrihen edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar. Ky regjim oligarkësh që varfëron popullin, krijon papunësi e padrejtësi do të ndalet.
Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave, që nuk do të ndalen, derisa e keqja të shkulet me rrënjë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: