TIRANE – Partia Demokratike akuzon qeverinë se po mbulon korrupsionin me sulme ndaj opozitës. Zëdhënësja e PD-së, Orjela Nebijaj tha se qeveria nuk mban asnjë përgjegjësi pas publikimit të aktit korruptiv, ku një drejtor i Ministrisë së Mjedisit i tenderon të atit 1.2 milionë dollarë.

“Fakti është se forma e korrupsionit që kanë instaluar Edi Rama dhe Ilir Meta, është e denjë për rekord gines. 1.2 milionë dollarë, që i biri shef i madh tek Ministria e Mjedisit, ia tenderon të atit të tij, që ka kompani fidanësh. Ky është fakti, ja ku është e dokumentuar tek buletini zyrtar. Qytetarët dhe opinioni publik, janë edhe më shumë të tronditur nga reagimi i dyshes Rama-Meta. Edi Rama nga njëra anë e pranon që kjo ka ndodhur, dhe del e sulmon opozitën. Papagalli është kthyer në institucion, i njëjti refren. Asnjë përgjegjësi për këtë akt skandaloz, vetëm tymnajë politike. Por publiku nuk çoroditet nga kjo, fakti mbetet. 1.2 milionë dollarë, i biri drejtor ia tenderon babait biznesmen. Në anën tjetër, në një garë absurde se kush duket më qesharak, Meta me Ministrinë e Mjedisit, edhe ai e pranon, por thotë se këto tendera me miliona euro nuk i bën ai, por vartësit në rrethe, që qenkan edhe të pavarur. Të gjitha estradat të mbledhura bashkë nuk do t’ia kalonin dot kësaj shakaje qeveritare. Por problemi është shumë serioz. Këto para janë të taksave të shqiptarëve. Taksat e shqiptarëve po ndahen në tavolinat e miqve, sipas një skeme të pastër korruptive. Kjo është në të vërtetë qeverisja Rama-Meta dhe arsyeja e vetme e ekzistencës së tyre. Papunësia e varfëria po thellohet, Rama e Meta ndajnë hiset me klientelën. Çmimet dhe taksat po rriten, Rama dhe Meta e rrjeti i tyre i interesave pasurohen. Oligarkia e milionave do të ndalet. Populli është në këmbë. .”- deklaroi zëdhënësja Nebijaj.

MINISTRA E MJEDISIT: ALB-GARDEN NUK KA FITUAR TENDERA PREJ NESH
Në lidhje me akuzat selisë blu ka reaguar sot edhe Minisrtria e Mjedisit, duke i cilësuar të pavërteta akuzat dhe duke mohuar faktin që Alb-Garden të ketë fituar ndonjë tender nga Ministria e Mjedisit, por nga Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe që janë autoritete kontraktore të mëvetme.

Shtyrë nga akuzat e përsëritura dhe të pavërteta të bëra në drejtim të Ministrisë së Mjedisit nga foltorja e Partisë Demokratike, informojmë edhe një herë opinionin publik se subjekti Alb-Garden nuk ka fituar asnjë nga tenderat e organizuar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Madje, sqarojmë, që ky subjekt ka konkuruar dhe nuk ka fituar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor.

“Ndryshe nga e kaluara ku tenderat dhe pushteti ishte tërësisht i centralizuar nga njerëzit të cilët tani po hedhin akuza tërësisht të pavërteta, sot, në zbatim të plotë të ligjit, Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe janë autoritete kontraktore të mëvetme, me komisione të pavarura pa asnjë lloj varësie nga Ministria e Mjedisit. E përsërisim që subjekti në fjalë ka fituar me garë të hapur dhe të rregullt më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim. Me sa duket selia blu, vazhdon akoma me filozofinë e fjalëve ndërsa ne po ecim me filozofinë e punës. Filozofia e tyre e fjalëve na la si trashëgimi një gjendje alarmante të pyjeve shqiptare; një kaos mjedisor me shfrytëzime ilegale dhe pa kriter të shtretërve të lumenjve, të guroreve dhe furrave të gëlqeres; të ndotjes së ajrit dhe asaj akustike; pa asnjë projekt të zbatuar; pa asnjë zonë të rehabilituar; me qindra ndërtime pa leje në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura; me një gjueti të paepur të faunës së egër të cilën e gjetëm në kufirin e shfarosjes totale; me rrugë nacionale të mbuluara me mijëra tonë mbetje dhe pa asnjë gjelbërim; pa asnjë regjistër të përdoruesve të ujit; pa asnjë regjistër mbi dëmet apo gjendjen e pyjeve; dhe mbi të gjitha një mjedis i cili ishte tërësisht jashtë axhendës së qeverisë për investime por burimi numër një për përfitime”,. thuhet në dekalratë.

Ministria e Mjedisit sqaron më tej se po punon me ritme të shpejta për të rehabilituar dëmet e jashtëzakonshme të bëra ndaj mjedisit.

“Për herë të parë në dy dekada, një qeveri mbjell pemë. Ministria e Mjedisit vetëm brenda një viti ka mbjellë 2.5 milione fidanë dhe brenda katër viteve do mbjellë 10 milionë fidanë. Kjo qeveri e ka mjedisin prioritet dhe për herë të parë mjedisi është në qendër të opinionit publik. Jo vetëm ndërmorëm masa ndëshkuese si mbyllja e furrave të gëlqeres, ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit, vendosja e moratoriumit 2 vjecar të gjuetisë, etj, por kemi shndërruar në të bukura zonat më të shëmtuara të vendit, kemi përfunduar një sërë projektesh dhe kemi nisur plotësimin e Regjistrit Kombëtar të përdoruesve të ujit dhe kadastrën kombëtare të pyjeve, dhe shumë reforma të tjera të cilat do zbatohen së shpejti me ligjin e ri të pyjeve. Ministria e Mjedisit do vazhdojë punën e nisur për të rritur standartin e jetesës së qytetarëve. Kjo është filozofia jonë e punës dhe asnjë retorikë boshe nuk do bëhet pengesë në punën tonë për ti shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: