TIRANË

Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratave të policisë e cila bëri thirrje të mos përdoret retorikë që nxit dhunën për protestën e opozitës të planifikuar më 16 shkurt. Në një dalje për mediat nga selia e PD, Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Rama i rrethuar nga zhgënjimi po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën e 16 shkurtit duke planifikuar një skenar kriminal.

“Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal”, tha Bardhi.

Ai theksoi se PD garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në protestën e 16 shkurtit.
“Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit pasi e dinë mirë se kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën në qeveri dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë policinë e Shtetit të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve, të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre përndryshe secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore. Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi, ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën”, deklaroi Bardhi.

Ai tha se Edi Rama ka vetëm një detyrë, t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. “Ai nuk mund të qeverisë më me mandate të vjedhura dhe kundër interesit të shqiptarëve. Koha për Edi Ramën është drejt skadimit. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij në të kundërt Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i PD.

Në emër të PD, Bardhi ftoi shqiptarët ‘të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni’. “Shumica dërrmuese e punonjësve të policisë janë me protestuesit sepse ata duan që të luftohet krimi. Njësoj si ne të gjithë edhe policët duan më shumë siguri për fëmijët e tyre, më shumë mundësi për ta dhe duan t’i rrisin fëmijët në një vend normal. më 16 shkurt së bashku do t’i hapim rrugë normalitetit evropian në Shqipëri, të bashkuar askush nuk mund të na ndalë dot”, përfundoi Bardhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb