TIRANË – “Partia Demokratike dënon me forcë reagimin kriminal të OSHEE,” – thuhet që në krye të një deklarate mjaft konçize të kësaj partie sot lidhur me mosndëshkimin nga ana e kompanisë së debitorëve të mëdhenj të lidhur me qeverinë. – Banditët e Edi Ramës çuan Qamil Zelën drejt vdekjes për 35 mijë lekë, – theksohet në deklaratë, ndërsa – “deputetët e Rama-Metës me 205 milionë lekë detyrime, asnjë masë. Kjo është fytyra e së keqes që duhet shkulur me rrënjë,”- përfundon PD-ja.

Kjo ka qënë deklarata e dytë e PD-së sot, pasi e para u bë nga deputetja Albana Vokshi, e cila akuzoi si debitor të madh të energjisë eleketrike, deputetin e majtë Pirro Kapurani, pronar i fabrikës së tjegullave dhe tullave në Korçë. Sipas Vokshit, ai rezulton me 205 milionë lekë drita të papaguara, por ndaj tij nuk merren masa, pasi është i lidhur me qeverinë.

Deklaratën e Vokshit e hodhi poshtë OSHEE, duke njoftuar se ndërprerja e energjisë për subjektin në fjalë është bërë direkt në nënstacion që më 29 dhjetor 2014, duke i kërkuar njëherësh që ta lerë OSHEE-n të rimëkëmbet. Por, pikërisht ky reagim i OSHEE-s u quajt “kriminal” dhe u bë shkak i replikave; Partia Demokratike i rikujtoi OSHEE-s, rastin e qytetarit Qamil Zela që vari veten pasi u burgos për 35 mijë lekë energji të papaguar.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: