TIRANE- Ngjarjet kriminale të ndodhura mbrëmjen e së hënës në kryeqytet ku mbetën të plagosur 4 persona, mes tyre një polic, dhe u vra një tjetër, është bërë shkas për përplasjen e radhës mes opozitës dhe maxhorancës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri për mbështetjen me burime njerëzore të bandave kriminale dhe deklaroi se “pasiguria ka arritur kulmin, ndërsa qeveria mban të fshehta detajet dhe keqinformon publikun”.

Ndërkaq ka reaguar Deputeti i PS-së, Ervin Bushati, i cili ka pranuar se ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër krimit, por i ka adresuar Ristanit si ish-zëvendësministër i Brendshëm, problemet që ka sot policia.

“Vetëm pak orë pasi Ministri i Brendshëm mbylli shfaqjen propagandistike të sukseseve të rendit dhe sigurisë, erdhi përgënjeshtrimi nga një përplasje e përgjakshme bandash të armatosura në zemër të Kryeqytetit. Ngjarja e mbrëmshme që ka tronditur qytetarët e Tiranës, e nxori lakuriq Kryeministrin dhe Ministrin e tij të rendit, pas mburrjes së tyre me shifra kot, me statistika të sajuara, që nuk i hyjnë në punë askujt. Ramën dhe Tahirin nuk i beson më njeri, sidomos për rendin dhe sigurinë, pasi qytetarët po shohin çdo ditë se krimi sa vjen e rritet, rendi sa vjen e bie, pasiguria për jetën e për pronën sa vjen e shtohet.”- deklaroi Ristani.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, “dihet botërisht se banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me qeverinë. Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, komprometues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën. Efektivi policor, pjesë e kësaj përplasjeje bandash, është aty me dijeninë dhe miratimin e Ministrit, është aty për të shërbyer favoret politike”.

“Partia Demokratike e denoncon këtë ngjarje të rëndë, që dëshmon se Kryeministri dhe Ministri i tij ofrojnë mbrojtje, ofrojnë siguri, dhe garanci policore për bandat. Kjo ngjarje tregon se banda ka jo vetëm lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj kriminal, por ka drejtpërdrejt mbështetjen e qeverisë me burime njerëzore. Kjo është mënyra, kjo është skema, me dhënien e lehtësive dhe me ofrimin e oficerëve në detyrë për të shërbyer për bandat. Nuk ka mënyrë tjetër. Qytetarët e vendit janë braktisur nga policia. Vrasjet, vjedhjet, grabitjet, aksidentet janë shtuar. Policia është hedhur në fushata e aksione ku godet të pamundurit dhe pronat e tyre. Ndërkohë, me pëlqimin e Ministrit, dhe me dijeninë e Kryeministrit, ofrohet siguri për bandat kriminale.

Kjo ndodh vetëm në shtetet e dështuara ku oligarkitë sunduese, sundojnë si banda dhe me bandat.”

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë përgjegjësi. Dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Partia Demokratike denoncon përpjekjen e qeverisë për të keqinformuar dhe mos informuar publikun për detajet e ngjarjes së mbrëmshme kriminale që nxjerr zbuluar lidhjet kriminale të Ministrit të Brendshëm dhe vetë Kryeministrit. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të veprojë me profesionalizëm dhe të ofrojë transparencën më të plotë sipas ligjit për këtë episod të errët të lidhjes së mafies me qeverinë. Asgjë nuk mund t’i fshihet apo deformohet publikut. E vërteta e plotë dhe tronditëse që fshihet si ajsberg poshtë ngjarjes së mbrëmshme duhet të dalë në dritë. Dhe do të dalë.”- përfundoi Ristani.

Bushati

Ndërkohë nga Selia rozë, Bushati tha se “policia që trashëgoi qeveria e re ishte lënë nga z.Ristani, ish-Zëvendësministër i Brendshëm, si mos më keq”.

“Reagimi i sotëm i z.Ristani, – tha Bushati,- tregon mënyrën se si operon Partia Demokratike. Asnjë alternativë se si gjerat mund të bëhen më mirë. Asnjë përgjegjësi për çka ka ndodhur tetë vitet e fundit kur ata vetë qeverisnin. Por tamam si grabitqar pret me gëzim sa të ndodhe një vrasje për të drejtuar gishtin drejt policisë.

“Një ditë më parë, Ministri i Brendshëm paraqiti disa shifra shumë domethënëse të punës së policisë së shtetit. Shifra, të cilat as Partia Demokratike, as Arben Ristani, nuk guxuan t’i kundërshtojnë, por i pranuan pasi janë të vërteta. Që ende nevojitet shumë punë në luftën kundër krimit, kjo është e vërtetë. Njësoj siç është e vërtetë se policia që trashëgoi qeveria e re ishte lënë nga zoti Ristani, ish zëvendësministër i Brendshëm, si mos më keq”, tha deputeti i PS-së, Ervin Bushati.

Ai shtoi se problemet e policisë, kanë ardhur pasi krerët e saj ishin të lidhur me krimin. “E keq trajnuar, e keq pajisur dhe sigurisht me individë të lidhur me krimin në krye të policisë që duhet ta luftonte krimin. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur numri dy i Ministrisë së Brendshme ishte Arben Ristani, i dënuar nga gjykata, me të kaluar penale”, përfundoi Bushati.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: