TIRANË- “Bashkimi Europian, ka konfirmuar në raportin e publikuar dje, të vërtetën mbi drogën në vendin tonë”. Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani pas raportit të BE-së, që thotë se Shqipëria renditet e para në Europë për prodhimin e kanabisit.

“Shqipëria, për fat të keq, është në krye të listës së prodhimit të hashashit dhe të tregtimit të tij të paligjshëm. Ky raport i Bashkimit Europian është pohimi, është konfirmimi ndërkombëtarisht, i asaj që qytetarët shqiptarë e dinë mirë, është pohimi i asaj që Partia Demokratike e ka denoncuar çdo ditë, është konfirmimi se kanabizimi masiv i vendit, përmes grupeve kriminale të lidhura me policinë, me Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, është realiteti i hidhur që po jetojmë.

Prej tre vitesh trafikantët e drogës, lordët e hashashit kanë gjetur parajsën në Shqipëri, pasi ata erdhën në pushtet me Edi Ramën, ndajnë pushtetin me të, dhe do tentojnë të mbajnë pushtetin duke blerë votën e shqiptarëve të pamundur, sa herë t’i thërrasë kumbari”, deklaroi Ristani.

Sipas tij,’ trafikantët e kthyen Shqipërinë në Kolumbi të Europës, sepse i kanë të gjitha lehtësitë, pasi përdorin makinën private të Ministrit të Brendshëm, emërojnë njerëzit e tyre në polici, kanë kapur pikat kyçe në dogana e institucione të tjera të zbatimit të ligjit, kanë shkrepësen në dorë për djegjen e provave, dhe gëzojnë shfajësimin e Tahirit kur goditen nga shërbimet partnere’.

“Akoma më keq, shumë trafikantë, të proceduar e të dënuar për trafiqe, janë direkt ushtrues pushteti, nga drejtor drejtorie, kryetar bashkie, e deri deputet të Parlamentit. Bashkimi Europian me këtë raport të rëndë për vendin dhe imazhin e Shqipërisë, thjesht ka pohuar pasojat e inkriminimit masiv, pasojat e bashkëqeverisjes me krimin e trafikun.

Raporti i Bashkimit Europian është një thirrje për qytetarët që të bashkohen, të ngrihen e të ndalin, një orë e më pare, oligarkinë e krimit dhe hashashit”, theksoi deputeti demokrat.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: