TIRANE- Partia Demokratike ka publikuar sot një dokument për Dzanashvillin, ndërsa akuzon qeverinë se po përpiqet të fshehë të vërtetën dhe të mbyllë skandalin. Në një deklaratë për mediat, Gerti Bogdani ka bërë publike disa dokumente që sipas tij faktojnë akuzat ndaj Dzanashvillit “për pastrim parash, trafik prostitucioni në shumë vende të rajonit”, si dhe tregojnë se ai “ka mandatuar Ajola Xoxën, si përfaqësuese me të drejta të plota për aktivitetin e tij në Tiranë”.

Por ndërsa thekson se kjo marrëveshje ka shumë hije dyshimi, PD shtron dy pyetje për bashkëshorten e ish-ministrit të Mirëqenies, Erion Veliaj, sot kandidatit për kryetar bashkie në Tiranë.

DEKLARATA E PLOTE:
Me gjithë kontrollin mbi median, me gjithë përpjekjen për ta mbyllur skandalin, për ta fshehur të vërtetën, ky dokument mbetet.

E kam fjalën për këtë dokument, ku Dzanashvilli, një emër i famshëm i botës së krimit, i dyshuar dhe akuzuar për pastrim parash, trafik prostitucioni në shumë vende të rajonit, ka mandatuar Ajola Xoxën, si përfaqësuese me të drejta të plota për aktivitetin e tij në Tiranë.

Kjo marrëveshje ka shumë hije dyshimi, por dy pyetje janë thelbësore dhe detyrim publik për zonjën Xoxa, bashkëshortja e ministrit, sot kandidatit të Edi Ramës për kryeqytetin.

Sa para ka marrë zonja në fjale nga Dzanashvili për të drejtën e përfaqësimit? A e ka denoncuar ajo tek drejtoria pastrimit të parave, të dhënat e transaksionit të dyshimtë që lidh Dzanashvillin me Mark Frrokun, ku 30% e aksioneve të kompanisë shiten 300 mijë euro, ndërsa 15% e aksioneve të së njëjtës kompani shiten me 1.8 milionë euro?

Këtu kemi të bëjmë me detyrime ligjore, dhe zonja Veliaj, duhet të japë përgjigje.

REAGON ZYRA E SHTYPIT E ERJON VELIAJT: AJOLA E PUNESIAR NE STUDION LIGJORE, PD NE DESHPERIM
Deklaratat e PD-së kanë marrë sot reagimin e zyrës së shtypit të Erion Veliajt, kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Tiranës.

Në reagim, thuhet se PD-ja hedh akuza pasi janë në dëshpërim, ndërsa sqarohet se bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa nuk ka pasur asnjëherë klient Dzanashvillin.

“Paniku nga sondazhet nga njëra anë dhe intervista e Dzanashvillit që implikonte drejtpërdrejtë Shkëlzen dhe Sali Berishën nga ana tjetër, nuk janë arsye për të baltosur bashkëshorten e kryebashkiakut të ri të Tiranës, Erion Veliaj. Por, me sa duket dëshpërimi në kampin blu nxit vetëm veprime të dëshpëruara nga ana e PD-së. Prandaj, e vërteta e thjeshtë se Ajola Xoxa nuk ka pasur asnjëherë klient personin në fjalë, nuk e pengon dot PD-në të shfryjë dëshpërim. Nga viti 2012 deri në vitin 2014 zonja Xoxa ka qenë avokate e asociuar pranë studios ligjore “Tashko Pustina”. Ajo nuk ka patur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me asnjë klient. Zonja Xoxa është paguar nga studio “Tashko Pustina” si të gjithë juristët e tjerë të asociuar me këtë studio. Zonja Xoxa ka ushtruar detyrat e saj profesionale për studion ligjore dhe klientët e studios ku ka qenë vetëm një juriste me rrogë fikse. PD do të ndëshkohet në 21 qershor në Tiranë edhe për këtë arsye, ndërsa balta mbi familjen e Erion Veliajt do të mbetet njollë mbi humbësit e katandisur në shpifës me pagesë dhe pa shpresë”,-sqarohet nga zyra e shtypit e EV.

(el.sp/ma.ar/BalkanwWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: