Nga VALENTINA MADANI*

TIRANE – Deputetët e Partisë Demokratike nuk do t’i përgjigjen kërkesës së OSHEE-së, drejtuar Kuvendit për të dorëzuar librezat e energjisë elektrike.

Sheferedin Shehu, drejtori Departamentin për Financat Publike dhe Tregun Financiar në PD bën të ditur për “Gazeta Shqiptare” se deputetët nuk janë nënpunës të Edi Ramës dhe të Ilir Metës. Shehu kërkon që OSHEE të zbatojë kontratën me deputetët si për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas tij, një kompani private nuk mund të kontrollojë dot Kuvendin, as të zgjedhurit e popullit, pasi nuk e ka këtë kompetencë. Po ashtu, deputeti i PD-së e konsideron presion të qeverisë ndaj qytetarëve dhe biznesit sekuestron e shtëpisë, në rast nuk paguajnë energjinë elektrike. Sheferedin Shehu thotë se projektligji i miratuar në qeveri zhvesh qytetarët nga mbrojtja që ligji i jep për banesën e vetme apo rezervat minimale. Autoriteti i tepruar që i jep nëpunësit të Operatorit të Shpërndarjes për të vendosur barrën hipotekore mbi banesën apo biznesin në llogari të të cilit janë faturat e papaguara, sipas Shehut, nxisin abuzimin.

Z.Shehu, a do t’i dorëzojnë deputetët e PD-së librezat e energjisë, siç kërkon OSHEE në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit?

Jo, nuk do t’i dorëzojmë librezat dhe nuk kemi pse ta bëjmë një gjë të tillë.

Për cilat arsye refuzoni dorëzimin e librezave?

Sepse deputetët nuk janë nënpunës të Edi Ramës, të Ilir Metës dhe OSHEE të zbatojë kontratën si për të gjithë qytetarët shqiptarë. Një kompani private nuk mund ta kontrollojë dot Kuvendin, as të zgjedhurit e popullit, pasi nuk e ka këtë kompetencë. Ndaj kërkesa e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është presion politik.

Nisma synon shtimin e arkëtimeve…

Kjo nuk është një nismë që kërkon të shtojë arkëtimet e kompanisë, por një kat politik i urdhëruar nga kryeministri. Dhe nëse ka deputetë të cilët nuk kanë paguar detyrimet, kjo mund të zgjidhet në mënyrë ligjore.

Si e konsideroni vendimin tjetër të qeverisë për sekuestro të shtëpive në rastet kur nuk paguajnë energjinë qytetarët apo biznesi?

Barra hipotekore është abuzive, i jep autoritet të tepruar OSHEE dhe ky është një tjetër presion i qeverisë ndaj qytetarëve dhe biznesit. Projektligji i miratuar në qeveri zhvesh qytetarët nga mbrojtja që ligji i jep për banesën e vetme apo rezervat minimale. Autoriteti i tepruar që i jep nëpunësit të Operatorit të Shpërndarjes për të vendosur barrën hipotekore mbi banesën apo biznesin në llogari të të cilit janë faturat e papaguara. Është Operatori Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ai që duhet të mos lejojë akumulimin e borxhit dhe jo për mos eficencë të tij, qeveria të shkarkojë barrën te qytetarët apo bizneset.

OSHEE i kërkoi Kuvendit librezat e deputetëve

140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i dorëzojnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kontratat dhe librezat e energjisë.

OSHEE i dërgoi një letër Kuvendit më 29 dhjetor 2014, ku kërkohej që 140 deputetët duhet t’i dorëzojnë kompanisë kontratat dhe librezat e energjisë për familjet dhe bizneset e tyre. Deputetët duhet të deklarojnë jo vetëm kontratat familjare, pra ato të banesave të tyre, por edhe të bizneseve që ata zotërojnë dhe klasifikohen si kontrata jo familjare. Në letrën e dërguar nga OSHEE dhe e firmosur nga administratori i këtij institucioni, Ardian Çela, theksohet se kjo kërkesë vjen pas një bashkëpunimi të suksesshëm me qeverinë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb