Nga: NDRIÇIM MEHMETI*
Që politikanët tanë nuk është se e kanë ndritur me çështjen e shqiptarëve në tërësi, kjo është e njohur. Dhe që në rastin e Maqedoninë, duhej të tregoheshin syçelët shumë më shpejt, kjo është përsëri e njohur. Por që me shkëputje, t’u njihet faji Berishës dhe PD-së përse nuk trajtohen mirë shqiptarët në Maqedoni, kjo më duket më shumë se cinike. Ta kalosh topin në portën e kundërshtarit, ta evokosh historinë me shkëputje, duke theksuar “kohën që ka qeverisur ai” dhe duke harruar kohën që kanë qeverisur që të gjithë, kuptohet se kemi të bëjmë me një qëndrim qartësisht të njëanshëm.
A i ndihmojmë shqiptarët e dhunuar prej policisë, shtetit, politikës maqedonase, duke fajësuar një pjesë të politikës shqiptare? A i bëjmë ata qytetarë të dorës së parë në Maqedoni, duke u thënë që, ‘shyqyr që iku Berisha e erdhi Rama, se ka çelur një ditë e re edhe për ju?’ A ia vlen t’i bëjmë furçe shefit të madh, duke sharë një pjesë të shqiptarëve dhe të fitojmë shqiptarët e Kumanovës? Për këtë gjithsecili ka një përgjigje të tijën. Analistët-këshilltarë të mazhorancës apo ish-zëvendësministra-komentatorë politikë, do të bënin mirë të qortonin së pari mediat shqiptare, që nuk guxoi askush të kalojë kufirin, për të përcjellë ngjarjet që ndodhën në Kumanovë. Këta “shpirtpërvëluar” atdhetarë, përpara se të ngrenë figurën e shefit të madh në qiell, duhet të na shpjegojnë përmes analizës së tyre “të pavarur”, se përse kryetari i parlamentit dhe kryeministri, nuk guxojnë të kalojnë Kapshticën, por presin liderët shqiptarë në Pogradec?
Mundet që të na bëjnë një analizë të gjatë, shumë të gjatë, të “mëkateve berishiane”. Ata madje janë të gatshëm të sjellin në kujtesë, nga Marrëveshja e Ohrit në 2001-shin, që sigurisht fajin përsëri e ka PD-ja e Berisha, që u nënshkrua e s’u zbatua se ishin në opozitë, dhe deri te marrëveshja e detit me Greqinë, kilometrat katrorë, nafta që do t’i shkojë Shqipërisë e jo Greqisë, faktit dhe fatit që “Rama ia bën tetë me dy Ballkanit”, e kështu me radhë. E këtu ata i besojnë më shumë Ramës sesa vetes. A nuk tha Rama që, duke qenë se ai ishte burri më i mirë i Ballkanit, iu la pikërisht në patronazh ky rajon, prej vetë kancelares Merkel? A nuk ishte Rama, që ia përmendi Kosovën në mes të Beogradit Vuçiçit? A nuk ishte Rama që bëri të lartësohet godina e maternitetit në Preshevë, ka hedhur themelet e universitetit në këtë komunë dhe po vërshojnë librat falas për nxënësit e atjeshëm? Dhe e gjitha kjo falë parave të ofruara bujarisht prej tij e vëllait të tij të vogël Thaçi. Pavarësisht se nuk dimë ende çfarë është bërë me këto projekte, që mbetën në letër, meritën s’mund t’ia mohojë askush Ramës. Madje Rama i kujtoi Brukselit, se shqiptarët nuk mund ta durojnë dot tangërllikun e BE-së dhe do t’i bien shkurt: Bashkohen me Kosovën dhe Brukseli nuk ka ç’bën. Berisha nuk e bënte dot këtë. Sepse në festën e Pavarësisë, njëherë e përmendi Prevezën dhe u mbajtën 7 emisione me analistët-këshilltarë dhe zëvendësministra-komentatorë, për të dënuar nacionalizmin berishian. Tani punët ecin shumë më mirë. Djemtë e Kombëtares shqiptare u rrahën paq në Beograd dhe kryeministri nuk e ndërpreu dot turin e tij të rëndësishëm personal në ShBA. Shteti shqiptar ende sot nuk na thotë dot, se kur do të kemi një vendim ndërkombëtar për këtë çështje. Shqiptarët në Preshevë, veç fjalëve të bukura dhe rrugës në këmbë të Ramës, nuk kanë parë asgjë të hajrit. Në Kumanovë vriten 22 shqiptarë dhe askush nuk di ende çfarë ka ndodhur.
Megjithatë ka një gjë që është shumë më e rëndësishme se këto: Trimëria e treguar nga kryeministri, për të kërcënuar me veto Maqedoninë në rrugën e saj për anëtarësim në NATO, nëse nuk trajton mirë shqiptarët. Madje shkohet edhe më tej. Lihet të nënkuptohet se Evropa, po na referohet vetëm neve në Ballkan dhe askujt tjetër. Rama, i mbështetur fuqishëm nga analistët e tij, ka arritur t’u tregojë vendin ballkanasve të pandreqshëm, prej Beogradit e deri në Athinë. Këtë PD-ja nuk e bëri dot. Pse nuk e bëri? E thjeshtë fare! Gjithë mendimtarët e politikës së jashtme ishin mbledhur tek PS-ja, duke e lënë tërësisht të varfër PD-në. Pra Rama kishte epërsinë që, si një udhëheqës vizionar që është, të grumbullonte “ajkën e njerëzve të mençur” dhe PD-së t’i linte njerëzit që nuk mendonin. Këta vizionarë të PS-së arritën rezultate të hatashme në drejtim të ndihmës për ruajtjen e identitetit kombëtar në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, te shqiptarët e Malit të Zi e deri në diasporë. Si fillim bënë sistemin arsimor të përbashkët me Kosovën. Pastaj thanë që ‘do të bëjmë tekste shkollore të përbashkëta e unike’, por rrugës ndërruan mendje. Për të ndihmuar fëmijët e emigrantëve shqiptarë shkrinë përfundimisht Sektorin e Diasporës në Ministrinë e Arsimit. Nuk flasin fare për shpërndarjen e librave në diasporë. Nuk përmenden fare trajnimet falas që do të bëheshin për mësuesit në Luginën e Preshevës. Nuk kanë dëshirë të flitet për nevojat për libra në gjuhën shqipe në Greqi, Itali, Gjermani e me radhë. I bëhet jehonë njohjes së pensioneve dhe sigurimeve të shqiptarëve që punojnë në Çeki, Sllovaki e gjetkë, por nuk thuhet se a ka një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Francës e me radhë për futjen e mësimit të gjuhës shqipe si lëndë e detyruar në shkollat e arsimit parauniversitar në këto vende.
Të fajësosh PD-në se nuk ka burimet e duhura njerëzore për të bërë politikë të jashtme, se ka përkëdhelur Maqedoninë në vend që ta “rrihte si Rama”, nuk është as analizë reale, as cinizëm elektoral dhe as kritikë në princip. Është thjesht dashakeqësi, për t’i paraqitur një pjesë të shqiptarëve të poshtër e një pjesë të mirë. Kjo është mënyra më e drejtpërdrejtë, për të përfituar nga një dramë kombëtare me pasoja të thella në jetën e çdo shqiptari, vetëm e vetëm që shefi yt të lartësojë figurën e tij, të zbehtë, përballë bashkëkombësve të vet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: