TIRANË-Partia Demokratike ka vijuar dhe sot akuzat ndaj kryeministrit, lidhur me ndërtimin tek stadiumi ‘Qemal Stafa’. Sipas PD, prish stadiume me qëllimin e vetëm, të vënies në funksion sa më shpejt të planit të tij klientelist me ish stadiumin. Sipas, PD, tani mbetet vetëm të shkatërrojë kalatë apo cdo objekt tjetër që nuk i përshtatet shijeve të tij. Lidhur me fasadën e Qemal Stafës, PD thekson se shkatërrimi ishte, i njëjtë me atë që ISIS i bëri qytetit antik me vlera të jashtëzakonshme, Palmiras.

Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa
Edi Rama vazhdon aferën e tij me stadiumin pa i interesuar se çfarë shkatërron dhe prish me qëllimin e vetëm të vënies në funksion sa më shpejt të planit të tij klientelist me ish stadiumin. Plan që i jep atij dhe ortakëve të tij pronësi të përjetshme të tokës publike në zonën më të shtrenjtë të vendit.
Kësaj rradhe shkatërroi monumentin e kulturës siç ishte fasada e stadiumit Qemal Stafa, duke e cilësuar atë si një gjë pa vlerë. Ndërkohë që ishte monument kulture, pjesë e një ansambli monument kulturor që duhej të ishte ruajtur aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Por Ramës i dukej e shëmtuar dhe vepër për tutkunët. Tashmë ka ngelur vetëm të shkatërrojmë kalatë nëse nuk i përgjigjen shijeve të Ramës dhe ato të ndërtohen moderne nga Carapuli, Eftimi dhe Casamonti, me paratë e shqiptarëve dhe prona sigurisht tju kaloj atyre përjetësisht.

Të gjithë e kemi parë si punohej aty, fotot e nxjerra flasin vetë. Me ketë gjest ai ka shkelur Kartën Shqiptare të Restaurimeve. Në nenin 5 për ndërhyrjet e ndaluara, në nenin 7 për masat paraprake të ndërhyrjes dhe në shtojcën b për mënyrën e ndërhyrjes. Aty është punuar me fadroma ndërkohë që duhej punë e pastër me çekiç e me rregulla të qarta për të ruajtur vlerat e monumentit. Ka shkatërruar një monument kulture në mënyrë brutale të ngjashme me mënyrën sesi ISIS shkatërroi Palmirën.

Ligji dhe vendimet në këtë vend bëhen post mortum për të justifikuar klientelismin dhe aferën me stadiumin. Rama prezanton projektin e Arenës Kombëtare me 21 prill 2016, që parashikon shembjen e stadiumit ekzistues. Më pas më 25 maj 2016 KKR nxjerr vendimin që heq nga statusi monument kulture pjesën lindore, jugore dhe veriore të stadiumit duke legjitimuar shkatërrimin që kishte shpallur Rama. Rama nis de facto shembjen e stadiumit Qemal Stafa më 6 Qershor 2016. Më pas më 01 korrik 2016 KKR merr vendim mbi miratimin e projektit të restaurimit të fasadës perëndimore të stadiumit. Ndërkohë aty kishte 1 muaj gati që punohej pa projekt restaurimi, duke shkelur ligjin.

I kërkojmë Ramës dhe institucioneve që tashmë i ka kthyer në mekanizma të plotësimit të planeve korruptive të vënë në dispozicion të publikut dokumentacionin përkatës që detyron ligji sipas Kartës. Që do të thotë “çdo ndërhyrje duhet që paraprakisht të jetë e motivuar dhe e preventivuar me shkrim. Duke mbajtur në vazhdim një ditar sipas një formati të përcaktuar më parë, të cilit do ti bashkëngjitet një relacion përfundimtar shoqëruar me dokumentacion fotografik, përpara, gjatë dhe pas ndërhyrjes”.

Rama me planin e tij tregon edhe njëherë që nuk ka asnjë asnjë lidhje me sportin dhe me kulturën. Plani i tij pa standarde olimpike për stadiumin e kthyer në qendër biznesi do të marr fund sapo Partia Demokratike të marr drejtimin e vendit. Ne do ja u kthejmë stadiumin sportdashësve dhe çdo monument kulture do ruhet me fanatizmin që i takon.
Edhe për sportin e për kulturën Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb