Sali Berisha kërkoi votën e demokratëve në 11 maj, për kandidatët e Partisë Demokratike. Ai sulmoi ish-kryedemokratin, Lulzim Basha duke thënë se ka vetëm mbështetjen e Taulant Ballës.
Deklaratën Berisha e bëri gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale me ndjekësit e tij.
“Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren”, tha Berisha.
Pjesë nga bashkëbisedimi
Pyetje: Përshëndetje doktor a thua është e gabueshme ti vësh në lista për deputetë disa keqbërës të Lul Bashës dhe a mendoni se në listën e PD mund të dalin deputet për Lul Bashën…
Sali Berisha: Në procesin e bashkimit të PD, Partia Demokratike është treguar konsekuente në atë që ka shpallur. Ne shpallëm bashkimin në diversitet, sepse nuk mund të mohohet që për shkak të zhvillimeve dramatike, brenda grupit të deputetëve të PD, dhe në anëtarësi në një shkallë më të vogël, u përvijuan qëndrime të ndryshme. Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores.
Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren.
(BalkanWeb)
