Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë, ku si lajtmotiv ka reagimin në lidhje me vendimin e marrë nga qeveria për bllokimin e aplikacionit TikTok për një periudhë 1-vjeçare, deri në momentin që do të vendosen filtrat e nevojshëm për të mbrojtur adoleshentët dhe fëmijët nga ndikimet negative.
Deputetja Dhurata Çupi ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se mbyllja e TikTok-ut nuk është thjesht një goditje ndaj një platforme sociale, por një goditje ndaj të drejtës për të komunikuar, për të krijuar dhe për t’u shprehur lirshëm.
Ajo ka ngritur shqetësimin se shënjestër pas këtij aplikacioni, mund të jenë edhe Instagrami, Facebook apo edhe media.
“Ne nuk jemi kundër rregullave dhe sigurisë, por transparenca dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund të sakrifikohen në emër të kontrollit politik! Nëse një platformë ka probleme, zgjidhja nuk është censura, por rregullimi i drejtë dhe i ndershëm!”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Mbyllja e TikTok-ut nuk është thjesht një goditje ndaj një platforme sociale – është një goditje ndaj të drejtës sonë për të komunikuar, për të krijuar dhe për t’u shprehur lirshëm!
Na thuhet se kjo bëhet për “sigurinë” tonë, por le të mos mashtrohemi! Kur një qeveri fillon të ndalojë platformat digjitale, ajo nuk e bën për të na mbrojtur, por për të na kontrolluar!
Sot është TikTok-u, nesër kush do të jetë? Instagrami? Facebook-u? Media të pavarura? A do të pranojmë që dikush tjetër të vendosë se çfarë mund të shohim dhe çfarë mund të themi?
Ne nuk jemi kundër rregullave dhe sigurisë, por transparenca dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund të sakrifikohen në emër të kontrollit politik! Nëse një platformë ka probleme, zgjidhja nuk është censura, por rregullimi i drejtë dhe i ndershëm!
Ne nuk duhet të heshtim! Ne duhet të mbrojmë lirinë tonë dhe të drejtat tona! Për një shoqëri të hapur, për një internet të lirë, për një demokraci të vërtetë – LE TË NGREMË ZËRIN!