TIRANË- Partia Demokratike ka denoncuar sot para opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare sipas saj përdorimin nga Edi Rama për qëllime elektorale të institucioneve qeveritare, fondeve dhe administratës publike. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se dy aktivitetet elektorale, të Erion Veliajt janë në dhunim të hapur të nenit 3 të Kodit Zgjedhor duke përdorur institucionet publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ALUIZNI-t.

“Pas urdhrit ndaj drejtorëve të administratës publike për të mbushur kutitë e votimit, Edi Rama ka urdhëruar vënien e institucioneve publike në dispozicion të fushatës së kandidatit për Tiranën. Në dy ditët e para të nisjes zyrtare të fushatës elektorale të dy aktiviteteve të zhvilluara nga kandidati i Edi Ramës, janë në dhunim të hapur të nenit 3 të Kodit Zgjedhor duke përdorur institucionet publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ALUIZNI-t. Ministria e Shëndetësisë u vu në shërbim të kandidatit të Ramës duke dezinfektuar për interes të fushatës, por në fakt duke ndotur rëndë standardet e këtyre zgjedhjeve. ALUIZN-i, së bashku me drejtorin e kësaj agjencie, janë kthyer në zyrë partiake ne dispozicion të kandidatit të Edi Ramës për Tiranën. Sot kandidati i Edi Ramës, një qytetar privat pa asnjë atribut publik, shpërndau leje elektorale dhe kjo është hera e tretë brenda pak ditësh”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se “Përdorimi i institucioneve, fondeve dhe administratës publike, është shkelje e rëndë dhe flagrante e nenit 3 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale”. “Konkretisht në pikën 7 dhe të 8 të këtij neni thuhet:

Pika 7. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli. Pika 8. Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë̈ e tyre nuk duhet të cenojnë̈ zhvillimin e zgjedhjeve”, tha ajo.

Tabaku u ka bërë thirrje misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe përfaqësive diplomatike të monitorojnë këto shkelje.

“Partia Demokratike i bën thirrje misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këto shkelje të ligjit dhe cenimin e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal dhe të vërë para ligjit autorët dhe përgjegjësit e kësaj shkelje të hapur dhe të rëndë të Kodit Zgjedhor”, përfundoi deklaratën deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: