TIRANE

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako në lidhje me dosjen e famshme ‘339’.

Përmes një reagimi publik, deputetja e PD-së Albana Vokshi tha se Dako është ‘autor i masakrës elektorale në qarkun e Durrësit, në bashkëpunim me bandat’.

Po ashtu, në emër të PD-së ligjvënësja e djathtë kërkoi arrestimin e kryebashkiakut, duke e akuzuar atë se manipuloi dëshmitarët me ndihmën e kryeministrit Edi Rama.

DEKLARATA E VOKSHIT
Dosja “339” që Edi Rama po e mban te kyçur në sirtarët e Prokurorisë është prova që çon në burg Vangjush Dakon si autor i masakrës elektorale në qarkun e Durrësit, në bashkëpunim me bandat.
Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës. Dosja “339-a” është faktimi i asaj që panë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, kur raportuan se vota në Shqipëri u ble, se qytetarët nuk votuan të lirë dhe votuesit u kërcënuan dhe u shtrënguan nga bandat, siç është rasti i Durrësit.
Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg!
Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë.
Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.
Dosja “339” vërteton pa asnjë dyshim më :
•Se Zgjedhjet e 2017-ës u blenë bashkë me krimin,
•10-15 deputetë u blenë nga krimi,
•Se ky Parlament është i paligjshëm dhe
•se Edi Rama është një kryeministër i paligjshëm dhe provat për këtë Prokuroria i ka në dosjen “339”!
Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb