TIRANE – Pas vdekjes së minatorit Gjovalin Prenga në minierën e Munellës, Partia Demokratike akuzon qeverinë për përkeqësimin e gjendjes në miniera. Deputeti demokrat Gjergji Papa i bën thirrje prokurorisë të hetojë me shpejtësi e seriozitet vdekjen e minatorit.
“I gjithë dokumentacioni i Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave, për rastin e Munellës, duhet bërë transparent. Përgjegjësit e kësaj tragjedie duhet të përgjigjen para ligjit”-tha ai.
Sipas Partisë Demokratike, numri i viktimave në miniera është më i madhi në 24 vitet e fundit.
“Të gjithëve na kujtohet përpara zgjedhjeve, se si ishin bërë minierat, pelegrinazhi politik i Edi Ramës. Ai përbetohej dita ditës se do ta ndryshonte statusin e minatorit, dhe do të krijonte siguri për jetën e tyre. Asgjë nuk ka bërë. Gjendja është përkeqësuar, dhe numri i viktimave është më i madhi në 24 vitet e fundit. Vdekja e minatorit në Munellë ishte e paralajmëruar dhe kjo është një akuzë para të cilës ndodhet qeveria, dhe asnjë lloj propagande apo sulm ndaj opozitës nuk e shpëton prej përgjegjësisë. E themi sot me plot bindjen, se, nëse qeveria do të bënte detyrën që i takon, kryefamiljari i ndjerë nuk do të kishte humbur jetën. Kolegët e tij, bëjnë të ditur se miniera është jashtë çdo kushti minimal të sigurimit teknik. Kjo është një përgjegjësi e pastër dhe e drejtpërdrejtë e qeverisë. Kolegët minatorë të të ndjerit, thonë se inspektorët e ministrisë nuk kanë kryer detyrën që u takon dhe dyshimet e tyre të bazuara janë për neglizhencë me dashje në këmbim të ryshfetit”- deklaroi Papa.
Sipas PD-së, “emërimet politike në Repartin e Inspektim Shpëtim Minierave, heqja nga puna e specialisteve, ka sjellë rënien drastike të profesionalizmit. Dhe kur kjo tragjedi ka ndodhur në minierën, e cila mbahet si një ndër më të sigurtat teknikisht, imagjinoni se çfarë mund të ndodhe në minierat e tjera”.
“Në fakt, numri i aksidenteve me vdekje në galeritë e minierave tona, në 15 muajt e fundit është absolutisht shumë herë më i lartë se çdo vit tjetër, përfshi edhe fillimin e viteve 90. Kjo është përgjegjësi e pastër dhe e drejtpërdrejtë e qeverisë. Minatorët thonë se kjo është një tragjedi që do të përsëritet, nëse ministria nuk do të ndërhyjë, për të bërë punën që i takon. Të gjithëve na kujtohet përpara zgjedhjeve, se si ishin bërë minierat, pelegrinazhi politik i Edi Ramës. Ai përbetohej dita ditës se do ta ndryshonte statusin e minatorit, dhe do të krijonte siguri për jetën e tyre. Asgjë nuk ka bërë. Gjendja është përkeqësuar, dhe numri i viktimave është më i madhi në 24 vitet e fundit. Dhe sot, jo vetëm nuk mban përgjegjësi, por nuk gjen kohë as të shprehë ngushëllime, as të solidarizohet. Mashtrim dhe më tej përbuzje. Kjo është politika e Edi Ramës me minierat dhe me minatorët”- deklaroi deputeti Papa.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: