TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se i lejon përfitime “klientelës” së tij, me ndërtimin brenda Parkut të Liqenit. Në një deklaratë për media, deputetja demokrate Jorida Tabaku, tha se me ‘ndërtimin e paligjshëm te Liqeni’, dëmtohen zona e mborjtur dhe gjelbërimi.
Sipas PD-së, kjo ështënjë aferë që i është mbajtur e fshehtë publikut. Tabaku tha se kjo aferë ka një kosto financiare ‘me faturë 500 mijë euro nga taksat e banorëve të Tiranës’.
DEKLARATA E PLOTE
Erion Veliaj, jo vetëm është duke bërë një ndërtim të paligjshëm brenda Parkut të Liqenit, duke prekur një zonë të mbrojtur, duke prerë pemë, duke shkelur aty ku askush nuk guxoi për 25 vite, por ai po fsheh qëllimin e tij kryesor, klientelist e korruptiv.
Eshtë kafja dhe restoranti që do ia japë mikut të tij, arsyeja kryesore pse Erion Veliaj po ndërhyn në Parkun e Liqenit.
Kryetari i Bashkisë përpiqet ta fshehë këtë, me propagandë bajate sikur ai dhe vetëm ai mendon për fëmijët e qytetit.
E vërteta është se ai po mendon për klientelën dhe përfitimet e tij.
Siç e shihni në relacionin e pasqyruar dhe në ekran, Veliaj ka parashikuar ndërtimin e objekteve të shërbimit që janë kafe, restorant, kioske për gazetat.
E gjithë skema e tij ka qënë jo transparente.
Po në veçanti këtë kioske-kafe-restorant Veliaj është munduar t’ia fshehë publikut.
Kjo aferë ka dhe kosto financiare përveç të tjerash, me faturë 500 mijë euro nga taksat e banorëve të Tiranës.
Qytetarët e Tiranës dhe Partia Demokratike janë të vendosur të mos e lejojnë këtë paligjshmëri dhe sipërmarrje klienteliste të Erion Veliajt.
Parku i Liqenit nuk është oborri privat i kryetarit të Bashkisë.
Eshtë pasuri e qytetarëve dhe e tillë do të mbetet.
Bashkia e Tiranës: “Ata që e shkatërruan qytetin në 4 vitet e fundit, nuk do të pengojnë zhvillimin e Tiranës”
Bashkia e Tiranës hedh poshtë deklaratat e Partisë Demokratike dhe lajmet e publikuara ditët e fundit në disa portale të lidhura me të, mbi pretendimet për projektin e parkut të lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit Artificial. Qytetarët e Tiranës e dinë se Partia Demokratike është kundër çdo pune dhe të mire publike, dhe fakti që prej disa ditësh flasin kundër parqeve të lojërave për fëmijë s’na habit aspak.
Bashkia e Tiranës deklaron se në projektin e parkut të lojërave për fëmijë nuk parashikohet asnjë ndërtim kafeneje apo restoranti, siç pretendojnë ata që e shkatërruan Tiranën në 4 vitet e fundit. Ky projekt fantastik përfshin vetëm një park lojërash për fëmijët e të moshave dhe nuk cenon absolutisht asnjë pemë të Parkut të Liqenit.
Me këtë rast, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen e thellë për mashtrimet e radhës të zyrtarëve të PD-së dhe keqinformimin e paskrupullt që po i bëhet këto ditë publikut, për një nga projektet më fantastike për 200 mijë fëmijët e Tiranës. Sot Tirana është një kantier i hapur punësh publike dhe ashtu siç ka bërë që në ditën e parë të punës së saj, Bashkia e Tiranës do të vijojë të punojë për qytetarët e Tiranës, për më shumë kënde lojërash për fëmijë dhe hapësira të gjelbëruara.
Ata që e shkatërruan Tiranën për 4 vjet, duke dhënë leje ndërtimi për pallate 17 katëshe m’u te diga e Parkut të Liqenit, e kanë të lehtë të baltosin sot ata që punojnë, duke u përpjekur të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës. Qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë se kush e ka shkatërruar Parkun e Liqenit, duke lejuar ndërtimin e dhjetëra kafeneve dhe restoranteve rreth e rrotull parkut.
Bashkia e Tiranës ka vetëm një kërkesë për të gjithë përtacët që e drejtuan qytetin e Tiranës nga viti 2011 në 2015: Na lini të punojmë! Qytetarët e Tiranës duan punë dhe jo llafe kafenesh. Qyteti i Tiranës ka nevojë të zhvillohet e të shndërrohet në një metropol evropian.
Më poshtë do të gjeni prononcimin e dhënë nga këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ditjon Baboçi, i cili ka shpjeguar projektin e parkut të lojërave për fëmijë:
“Bashkia e Tiranës dëshiron të qartësojë gjithë qytetarët e Tiranës se projekti i këndit të lojërave tek Parku i Liqenit nuk ka asnjë objekt tjetër, siç është spekuluar dhe po spekulohet çdo ditë në forma të ndryshme. Në këtë projekt nuk ka asnjë kafe apo restorant, është thjesht një kënd lojërash për fëmijë. Po ashtu, edhe spekulimet për pjesën e betonizimit janë të pavërteta.
Nuk ka as edhe një element të huaj, përveçse një parku lojërash për fëmijë me elementë të ndryshëm argëtues e dëfryes, pa asnjë element privat, pa asnjë pagesë për të hyrë dhe për ta përdorur. Projekti parashikon ndërtimin e një parku publik që zhvillohet me fonde publike, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe që do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Tiranës pa asnjë pagesë dhe asnjë kosto ekstra.
Në qoftë se mund të vijë dikush tek kjo hartë e projektit dhe të na tregojë se ku është kafja, ku është restoranti, ku është dera dhe ku paguhet bileta, bujrum, të na e shpjegojnë! Por, në këtë projekt nuk ka asgjë të tillë!
Projekti është i ndarë në 8 elementë të ndryshëm, për mosha të ndryshme të fëmijëve; 1-3 vjeç, 3-6 vjeç; 6-9 vjeç dhe për moshën 12 vjeçare. Në çdo faqe të projektit shpjegohen elementët e ndryshëm, p.sh ky është elementi i zonës për fëmijë 1-3 vjeç, i cili ka si elementë përbërës stola druri masivë të përdorshëm në të dy krahët, dysheme rëre 20 centimetra të thellë, lojëra druri, dru kompakt, trajtim me lyerje kundër lagështirës. Njëkohësisht, në cepin e kësaj faqeje shpjegohen edhe të gjitha nënshtresat, të cilat do të përdoren për të trajtuar dyshemenë, e cila patjetër që ka nevojë të jetë e sheshtë. Asnjë pemë nuk preket, shtresa në rastin konkret është një shtresë me zhavorr për të krijuar një nivel në terren dhe një shtresë me rërë të imët, ku fëmijët 1-3 vjeç mund të luajnë pa u dëmtuar dhe pa u vrarë.
Ky është elementi i pistës së skateboard, ku fëmijët luajnë me patina. Është e vetmja hapësirë që ka një sipërfaqe të ngurtë, pasi detyrimisht nëse do të përdorësh skateboard, nuk mund ta bësh në rërë të imët. Të gjithë elementët e tjerë nuk kanë sipërfaqe të forta, por sipërfaqe me ashkla druri, me rërë të imët dhe sipërfaqe bari. Ky projekt është zhvilluar mbi rilevimin e gjendjes ekzistuese tek parku.
Ky projekt, këto pemë që shihen këtu, janë pemët ekzistuese të parkut, janë vendet e të gjitha pemëve ku ndodhen sot dhe ky projekt është zhvilluar mbi këtë bazë. Kur projekti është hartuar nga arkitektët Bolles & Ëilson, është zhvilluar mbi bazën e gjendjes ekzistuese, pikërisht me qëllim që asnjë nga pemët që ekzistojnë sot aty të mos priten dhe të mos eliminohen. Përkundrazi, projekti parashikon mbjellje pemësh më shumë se ç’ka sot në këtë hapësirë që prek projekti i parkut të lojrave për fëmijë nga liqeni.
(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)