TIRANE – Ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe autorët e vrasjes së Aleksandër Bardhit në Sarandë, Partia Demokratike deklaron se kjo është një tjetër vrasje që ka si motiv drogën.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji tha se “viktima është vëllai i administratorit të Kacinarit, i emëruar nga kryetari i Edi Ramës në Bashkinë e Mirditës, i cili e kishte kthyer banesën në magazinë droge, ku policia gjeti 424 kilogramë kanabis me destinacion Greqinë. Droga kalonte në Greqi pikërisht nga fshati Shëndëli në Sarandë, ku ka ndodhur vrasja”.

Sipas Salianjit, Aleksandër Bardhi është viktima e gjashtë e drogës, e këtyre muajve.
“Këto janë pasojat dramatike të alternativës së Edi Ramës për shqiptarët, që është kanabisi. Kanabisi vjen nga malet edhe përmes lumit, kanabisi ka zënë toka, pyje, kodra, ka zënë shtëpi e magazina, kanabisi po vret në Sarandë, Dukagjin, Korçë, Tepelenë, Vlorë, Kolonjë, e prapë Edi Rama thotë se s’ka drogë në Shqipëri, dhe se degën e fundit e kapi ai në një studio televizive. Ky biznes kriminal me futjen masive, me shtrirjen masive, po sjell tension social, agresivitet tek të rinjtë, dhe pasiguri ekstreme. Edi Rama dhe karteli i tij po fitojnë miliona euro, mbi rrënimin e vendit, mbi rrënimin e shoqërisë. Kjo është një e keqe me të cilën shqiptarët s’mund të pajtohen. Është koha për një reflektim të thellë, për reagim popullor për ta ndalur rënien e Shqipërisë në këtë greminë.
Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.”- deklaroi Salianji.

Të njëjtën gjë, Partia Demokratike e deklaroi edhe pas vrasjes së 29-vjeçarit Ardian Mesiti në Gramsh, por familjarët e viktimës thanë se do të padisin PD-së, pasi sipas tyre, Ardiani u vra për nder dhe jo për drogë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: