TIRANE
Ka zgjatur për mbi 60 minuta takimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi me kryedemokratin Basha në zyrën e këti të fundit. Kryemadhi u pa të mbërrijë në zyrën e Bashës vetëm pak caste pasi ai njoftoi vendimin unanim të demokratëve në mbledhjen e grupit parlamentar për djegien e mandateve.
Burime për “BalkanWeb” pohuan se Kryemadhi diskutoi me kryedemokratin Basha mbi hapat e mëtejshmë që do të ndërmarrë opozita. Në përfundim të takimit Kryemadhi nuk ka dashur të japë detaje për mediat, duke u shprehur se informacion do të ketë pas mbledhjes së grupit parlamentar të LSI.
Një ditë më parë edhe pse nuk u shpreh qartë nëse do mbështesë propozimin e kryedemokratit për djegien e mandateve, Kryemadhi shkroi në një postim në facebook: “Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!”
Përgjatë ditës së sotme, deputetë të LSI kanë reaguar përmes statuse në facebook mbi propozimin e kryedemokratit Basha për djegien e mandateve.
(BalkanWeb)