“Partia Demokratike vijon fushatën e shpifjeve lidhur me procesin e rindërtimit në Bashkinë e Tiranës”. Kështu deklaroi sot Bashkia e Tiranës duke e akuzuar zëdhënësen e PD Ina Zhupa, se ka dalë sërish bllof sot, me rastin e familjes së Riza Nozllit nga fshati Gropje, në Vaqarr.
Sipas Bashkisë, Zhupa tha se familja është skualifikuar nga procesi i rindërtimit, por në fakt, e vërteta është ndryshe, sipas dokumenteve të publikuara nga Bashkia e Tiranës.
“Familja Nozlli është përfituese nga granti i rikonstruksionit për kategorinë DS2 të dëmtimit nga tërmeti. Kjo vërtetohet lehtë nga VKB nr. 73, datë 19 qershor 2020. Por, edhe pse është shpallur përfitues, kryefamiljari Riza Nozlli nuk është paraqitur ende në zyrat e Njësisë Administrative Vaqarr për të vijuar procedurat e mëtejshme dhe për firmosjen e kontratës së përfitimit.
Nga qershori i vitit të shkuar, mjaftonte që Riza Nozlli të paraqiste dokumentet përkatëse të kërkuara për lidhjen e kontratës dhe menjëherë do të merrte paratë për rikonstruksionin e shtëpisë ku jeton sot. Nga ana tjetër, edhe pse nuk është paraqitur për të lidhur kontratë, familja Nozlli nuk e ka ankimuar VKB nr. 73, në mënyrë që të bëhej rivlerësimi siç e kërkon ligji, brenda 5 ditëve nga miratimi i listës së përfituesve.
Megjithatë, familja e Rizait ka ende kohë për t’u paraqitur pranë Njësisë Administrative Vaqarr për të lidhur kontratën dhe tërhequr paratë për të rikonstruktuar shtëpinë”, deklaroi Bashkia.
Ndërkohë në një reagim tjetër, zëdhënësja e PD Ina Zhupa publikoi dokumentet dhe tha se bashkia ngatërron person.
“Bashkia Tiranë ka ngatërruar personin në përgjigje që kthen për denoncimin tonë për Riza Nozlli. Rizai nuk mund të vijë të lidhë kontratë për një Riza tjetër.
Nuk e dimë kush është Riza Riza Nozlli që nxjerr Bashkia tabelë me emra që ka përfituar DS2, që do të thotë përfiton 1 milion lek të vjetra për dëme të riparueshme, urojmë t’i marri dhe të riparojë shtëpinë.
Por Riza SHABAN Nozlli në Gropje në shtepinë e të cilit isha vetë dhe folen më zë dhe figurë nuk ka përfituar asgjë.
Jo vetëm që nuk është i njejti person nga gjeneralitetet, por nuk mund të jetë edhe nga dëmet se Rizai ka një shtëpi të pababueshme që po i shëmbet dhe nuk mund të bej asgjë me 1 milion lek.
Shkoni shikojeni shtëpinë e Riza SHABAN Nozlli dhe do e kuptoni dhe pa pasur inxhinier me vete që është për tu shëmbur dhe e shkatërruar totalisht.
Bëni detyrën dhe kualifikojeni në programin e rindërtimit që të jetojnë me dinjitet dhe pa frikën e vdekjes që nga momenti në moment mund t`i zërë shtëpia poshtë”, deklaroi Zhupa.