TIRANË- Partia Demokratike, ka akuzuar sërish sot qeverinë, se ka krijuar pabarazi para ligjit duke futur në burg qytetarët e pamundur dhe duke lënë të lirë, biznesmenë dhe njerëz të afërt megjithëse nuk kanë paguar miliona lekë për energjinë. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka dalë sot para mediave për të denoncuar kësaj here deputetin e LSI-së Piro Kapuranin. Por pak minuta më vonë në një bisedë telefonike për News24, deputeti Kapurani ka mohuar të jetë pronar i një fabrike tullash dhe i ka quajtur shpifje deklaratat e Vokshit.

“Partia Demokratike denoncon pabarazinë para ligjit që ka krijuar Edi Rama. Qytetarët e pamundur janë në errësirë ose në burg për dhjetë mijë lekë të vjetra, deputeti biznesmen, Pirro Kapurani, pronar i fabrikës së tjegullave dhe tullave, nuk preket edhe pse ka 205 milionë lekë energji të papaguar. Shiheni këtë faturën e energjisë. Subjekti në fjalë ka 205 milionë lekë detyrime ndaj shtetit. Eshtë fabrikë tjegullash dhe tullash në Korçë. Çfarë ka ndodhur me pronarët? A janë përballur ata me ligjin? A u është ndërprerë energjia?”, ka thënë Vokshi.

Ajo ka vijuar më tej duke thënë se mbi të nuk është marrë asnjë masë dhe se ligji nuk vepron njësoj për të gjithë. “Jo nuk ka ndodhur asnjëra nga këto sepse njëri nga pronarët, më kryesori, Pirro Kapurani, është në parlament. Eshtë miku i Edi Ramës, dhe Ilir Metës, është sponsori i fushatës së tyre, dhe është aktualisht deputet i LSI-së. Nuk vepron njësoj për të gjithë ligji me Edi Ramën, kjo është kuptuar tashmë”, ka deklaruar deputetja demokrate.

Sipas saj, i njëjti person nuk ka paguar edhe detyrimin prej 17 milionë lekësh të muajit dhjetor. “Detyrimit 205 milionë lekësh, i është shtuar edhe fatura e dhjetorit që është afërsisht 17 milionë lekë. Kjo tregon se fabrika e tjegullave të mikut të Edi Ramës dhe Ilir Metës, të deputetit të tyre, vazhdon të punojë. Për detyrime dhjetë mijë lekëshe janë dënuar me errësirë mijëra qytetarë nga Edi Rama, edhe netët e ndërrimit të vitit”, tha Albana Vokshi.

Ajo ka vendosur përballë, qytetarë që për shuma më të vogla kanë përfunduar pas hekurave, duke përmendur rastin e familjarit që vari veten në burg. “Ka qindra e mijëra qytetarë që kanë përfunduar edhe në burg, nga dhuna policore e Edi Ramës për energjinë, se nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë, se nuk kanë punë dhe nuk kanë të ardhura. Ka jo pak qytetarë që kanë humbur dhe jetën, si rasti i kryefamiljarit nga Lushnja, që vari veten në qeli sepse gjendej prej 2 muajsh në burg nga represioni i Edi Ramës, për 35 mijë lekë të vjetra detyrime ndaj OSHE. Dhe ja ku kemi deputetin e dyshes Rama-Meta, që ka më shumë se 205 milionë lekë detyrime, e vazhdon punën i qetë, fabrika vazhdon të prodhojë duke shfrytëzuar energjinë, pasurinë  publike”, u shpreh deputetja.

Vokshi tha se pabarazia para ligjit, mban firmën e Edi Ramës por kjo pabarazi do të ndalet nga protestat e popullit. “Vjedhin vetë energjinë me shuma që qytetarët as nuk i kanë ëndërruar, pastaj dalin e akuzojnë popullin. Kjo pabarazi para ligjit është skandaloze dhe mban firmën e Edi Ramës. Kjo pabarazi para ligjit, ka bërë që qytetarët të jenë sot në këmbë. Dhe kjo pabarazi, kjo padrejtësi, kjo e keqe do të ndalet. Populli do të jetë në këmbë, më i bashkuar se kurrë, në protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë vendi”, përfundoi deputetja e PD-së.

Por deputeti Kapurani ka deklaruar se fabrika e tullave nuk është në pronësi të tij dhe se kjo mund të vërtetohet në QKR.

“Fabrika e tullave në Korçë nuk është në pronësinë time. Kjo vërtetohet lehtësisht në QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit). Këto janë shpifje në drejtim të figurës sime”, ka thënë deputeti Kapurani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb