Deputetja e PD Zheni Gjergji, me anë të një deklarate për mediat, tha se në fushën e Elbasanit ka pasur zjarr të qëllimshëm.

Gjergji theksoi se zjarri është vënë, me qëllim për të ulur malin e mbeturinave dhe për të fshehur krimin.

“Fusha e mbetjeve e inceneratorit të qytetit është në flakë duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë që kërkohen shkaqet e zjarrit ato janë aty para syve: mbeturinat që nuk i djeg inceneratori, për të cilin taksapagueseve u janë grabitur miliona euro, i djeg zjarri i vënë me qëllim për të ulur malin e mbeturinave”, tha Gjergji.

Deklarata e deputetes së PD, Zheni Gjergji:

Sot, kur temperaturat kapin 45 gradë, qytetit të Elbasanit i është shtuar edhe një valë tjetër të nxehti dhe rreziku.

Fusha e mbetjeve e inceneratorit të qytetit është në flakë duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë që kërkohen shkaqet e zjarrit ato janë aty para syve: mbeturinat që nuk i djeg inceneratori, për të cilin taksapagueseve u janë grabitur miliona euro, i djeg zjarri i vënë me qëllim për të ulur malin e mbeturinave.

Ndërkohë që Elbasani digjet, Gledjan Llatja krihet, në takimin e kryebashkiakëve në Tiranë me kryeministrin. Qytetarët përvëlohen, hajdutët argëtohen!

Kjo është një zjarrëvënie e qëllimshme, keqdashëse dhe fshehëse e krimit. Ky është nja zjarr për të mbuluar korrupsionin, për të pakësuar mbetjet që po bëhen më të larta se kodrat e Krastës përmbi qytet.

Partia Demokratike, denoncuese e palodhur prej vitesh, me deklarata, padi dhe qëndrime të forta për skandalin e inceneratorëve, i kujton sot SPAK-ut edhe njëherë se këto janë pasojat e dënimeve selektive.

Ne i bëjmë thirrje drejtësisë, jo të re, por të rilindur, që të kryejë funksionin e vet dhe t’i shkojë hetimeve deri në fund. Vetëm duke dënuar autorët, pronarët faktikë, shuhen zjarret në landfillin e Elbasanit dhe merr fund rreziku për shëndetin e qytetarëve.

U bëjmë thirrje qytetarëve që të rrinë sa më larg landfillit, sepse lëndët që shkarkohen nga djegia janë kancoregjene.

Kush ka mundësi të strehohet te të afërmit derisa të kalojë rreziku, le ta bëjë.

Gjithashtu u bëjmë thirrje të ngrihen në protesta për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.

Çdo vonesë është leje që bashkia e Llatjes dhe qeveria e Ramës të vazhdojnë me vjedhjen dhe të ndjehen të sigurt në hajdutërinë e tyre të pandëshkuar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb