TIRANE- Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po ndan vendet e punës si plaçkë lufte në burgje. Në një dalje publike para mediave, deputeti Arben Ristani pohoi se selia blu ka siguruar një letër konfidenciale ku sipas tyre zëvendësdrejtori i përgjithshëm burgjeve, Bledar Skenderi, ia drejton Edi Ramës, ku tregohet se si, në të vërtetë, kryhen punësimet në këtë qeveri. Por PS ka reaguar duke mohuar ekzistencën e letrës, që sipas deputetit Taulant Balla është shpifje e fabrikës së SHQUP-it.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se çdo ditë e më tepër, çdo shqiptar po bindet se Edi Rama është në krye të një shteti të korruptuar, kriminal, nepotik e partiak.

“Justifikimet e tij për papunësinë në rritje, dhe për pakënaqësinë në rritje ndaj tij edhe brenda partisë socialiste, se ai po bën shtet dhe jo punësime në shtet, janë qesharake dhe nuk ia beson më askush. Kemi sot këtu, një letër konfidenciale që zëvendësdrejtori i përgjithshëm burgjeve, Bledar Skenderi, ia drejton Edi Ramës, ku tregohet se si, në të vërtetë, kryhen punësimet në shtetin e Edi Ramës. Ky zyrtar i lartë e informon Edi Ramën se nga tetori i vitit 2013 e deri në gushtin e 2014, nga 762 emërime, vetëm 300 i ka bërë Partia Socialiste, ndërsa 462 i ka bërë LSI. Zyrtari i Lartë ankohet se LSI nuk po respekton marrëveshjen për ndarjen e pushtetit. Ky zyrtar ankohet se disa drejtorë burgjesh, punësojnë njerëz sipas dëshirave të tyre dhe nuk marrin në konsideratë listën zyrtare me emra që i ka çuar Partia Socialiste. Në përgjithësi të gjitha emërimet në stafet drejtuese të policisë së burgjeve (shefa policie dhe oficerë) janë marrë nga jashtë sistemit, njerëz jo me formimin e duhur profesional dhe kjo po cënon rëndë sigurinë në këto institucione”, kështu shprehet zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.”, citohet në deklaratën e PD-së.

Më tej në deklaratë thuhet se: “Ai i sugjeron Ramës që Partia Socialiste duhet të marrë nën drejtim burgun e Fierit pasi aty ka 700 vende pune. Ja pra kush është shteti i Edi Ramës. Një shtet që trajtohet si plaçkë që ndahet mes aleatëve si tortë e pushtetit. Një shtet i korruptuar, ku punësimet bëhen ose me firmë të partisë ose me lek nën dorë. Një shtet kriminal që në këtë rast, ka vënë në rrezik edhe sigurinë në burgje për shkak të babëzisë për të trafikuar vendet e punës sipas interesit financiar dhe partiak. Pikërisht këtë shtet jemi ngritur ta shporrim, bashkë me shqiptarët. Partia Demokratike ju bën thirrje, Të enjten në orën 10, të rimblidhemi në dyert e Parlamentit.”

Ndërkohë një ditë më parë u publikua një email, ku deputeti Taulant Balla u kërkon deputetëve të punësojnë në zyrat elektorale persona që do orientojnë njerëzit e PS për të aplikuar për vendet e lira. Në krye të adresave që iu drejtohej Balla ishte Tom Doshi.

Nga ana tjetër deputeti i PS-së, Taulant Balla tha se “Mashtrojnë shqiptarët kaq hapur vetëm për përfitime politike”. “Letra që Zoti Ristani pretendon se është dërguar nga zv.drejtori i burgjeve tek kryeministri është shpifja e radhës e fabrikës së SHQUP-it. Ajo letër nuk ekziston”, deklaroi Balla.

Balla 15 dhjetor

DEKLARATA E PLOTË E BALLËS

Po ju paraqesim këtu një e-mail që Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani i dërgon ish-Kryeministrit Sali Berisha, në të cilin zoti Ristani shpreh këtë konsiderate për Kryetarin aktual Lulzim Basha:

I dashur Doktor,
Protestat tona nuk arrijnë të mbledhin njerëz pasi Luli nuk frymëzon askënd. Prandaj në emër të gjithë të vjetërve në Partinë Demokratike të lutem të marrësh situatën në kontroll.
Është tejet e rëndësishme që në protestën e radhës të mbani edhe Ju një fjalë, që të paktën njerëzit e pranishëm në protestë, por edhe ne deputetët dhe drejtuesit e PD, të marrim pak kurajo dhe guxim.

Juaji përjetësisht,
Arben Ristani
Pavarësisht se kjo letër nuk është e vërtetë, e vërteta është se të gjithë në Shqup mendojnë kështu. Por këto janë punët e Shqupit, me të cilat ne as që duam të merremi.
Arsyeja përse e nxorëm këtë letër të sajuar është për t’i treguar publikut se sa e thjeshtë është të shkruash një trillim në kompjuter e ta printosh në një fletë të bardhë.
Por a është normale kjo?
A është normale të gënjesh e të mashtrosh shqiptarët kaq hapur, vetëm e vetëm për përfitime politike të një grushti njerëzish?
Imagjinoni sikur të gjithë të ishim njësoj si Luli, Saliu, Paloka e Ristani dhe çdo ditë të dilnim në media e të shpifnim, pa asnjë fakt, ose me fakte të fabrikuara si kjo letër e sotmja, dhe të hidhnim të gjithë baltë e të kriminalizonim njëri tjetrin.
Fatkeqësisht, Saliu dhe Luli kanë plotë 25 vjetë që vetëm këtë bëjnë. Shpifin e shpifin me shpresën se diçka do të mbetet.

Falsifikojnë dhe fabrikojnë fakte me shpresën e balta do të nxijë kundërshtarin. Por fatmirësisht, nuk jemi të gjithë njësoj.
Letra që zoti Ristani pretendon se është dërguar nga zv. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve tek Kryeministri është shpifja e radhës e Shqup.

Ajo letër nuk ekziston, por është shtypur në kompjuter në zyrat e Partisë Demokratike. Fatkeqësisht, në Shqup është krijuar një departament i veçantë i fabrikimit të dokumentave, letrave dhe emaileve. Kaq poshtë ka rënë opozita e sotme.
Ajo letër është po aq e vërtetë sa edhe kjo letra, që unë paraqita përpara jush sot. Dhe kjo është e turpshme.

Është i turpshëm niveli ku ka arritur Partia Demokratike. Të gënjeje dhe shpife, të fabrikojë letra të paqena dhe të falsifikojë korrespondenca mes zyrtarëve të lartë të shtetit, nuk është vetëm papërgjegjshmëri. Kjo është kriminale.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb