TIRANË – PDIU dhe shoqata “Çamëria” i bëjnë thirrje Qeverisë, t’i kërkojë Greqisë, përfshirjen e historisë dhe genocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë në tekstet shkollore greke. Përveç kësaj, të kërkojë edhe mësimin në shqip të të gjithë emigrantëve, arvanitasve dhe çamëve të padëbuar, në zbatim të parimit të reciprocitetit.


Me këtë deklaratë ka dalë sot PDIU-ja, në shenjë proteste ndaj vizitës së Ministrit grek të Arsimit, Andreas Loverdos në Tiranë, vizitë që është konsideruar prej saj si një fyerje shumë e madhe.


“Dalja e tij përpara përfaqësuesve mediatikë shqiptar si një polic që flakëron kamxhikun me karrotën e integrimit evropian, –  është shprehur sot Ardian Tana, ish-Zv.ministër Arsimit, – përbën fyerjen më të rëndë ndaj vlerave të familjes së madhe ku Greqia bën pjesë dhe Shqipëria aspiron.


Përpara se t’i tregojë vendit tonë si duhet të mësojë pakicën greke në Shqipëri, ministri grek le të shohë se në ç’gjuhë dhe me çfarë tekstesh mësojnë pakicat shqiptare në Greqi: nga arbërorët e Atikës, Eubesë, Viotisë dhe Peloponezit deri te vëllezërit tanë të Çamërisë.

Shqipëria i respekton minoritetet e saj, për shkak të madhështisë shqiptare dhe jo për shkak të “policëve të keq” që herë pas here dërgon Athina në Tiranë. Rishikimi i teksteve të historisë nuk mund të bëhet me arrogancën e politikanëve. Ministri grek foli në Tiranë për t’u dëgjuar në Athinë, – përfundoi Tana, – pasi partia e tij po zhduket nga skena politike, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.”

(ar.sh/BalkanWeb)