TIRANE – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijon të forcojë pozitat e saj në koalicionin qeverisës. Partia që përfaqëson edhe komunitetin çam në Shqipëri ka rritur përfaqësimin e saj në nivelin e lartë qeverisës, ku nesër pritet të marrë dhe një post zëvendës/ministri.

Burime zyrtare nga qeveria bëjnë të ditur për ‘BalkanWeb’ se zonja Vjollca Braho do të emërohet zv/ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, një post në qeveri i hapur posaçërisht për PDIU-në.

Zonja Vjollca Braho pritet të lërë detyrën e saj në krye të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të marrë postin e zv/ministres në institucionin e drejtuar nga Blendi Klosi. Përveç postit që mban në kujdesin shëndetësor, Braho është edhe nënkryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Vjollca Braho qëndron në krye të FSDKSH-së që prej dhjetorit të vitit 2015, ndërsa më parë ka drejtuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore, duke realizuar një sërë reformash, mes tyre dhe ligji i ri për sigurimet që ka nisur aplikimin në 1 janarin e 2015-ës.

Gjatë drejtimit të ISSH-së nga Vjollca Braho ndryshoi rrënjësisht mënyra e llogaritjes dhe pagesave të përfitimeve, që me sistemin e ri informatik uli kohën e caktimit të përfitimeve, saktësinë e tyre, eliminimin e informalitetit dhe rritur cilësinë e shërbimeve.

Një tjetër sukses i institucionit të drejtuar për dy vite nga Braho është ndryshimi i infrastrukturës nëpërmjet riorganizimit të godinave qendrore të ISSH¬-së, agjencitë e drejtorive rajonale të Tiranës, Durrësit dhe Korçës, si dhe nisja e punimeve për gjithë agjencitë e tjera. Të gjitha këto ndryshime në infrastrukturë kanë sjellë ndryshime në aplikimet dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Mësohet se vendin e Vjollca Brahos në krye të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do ta zërë Erjon Manhasa.

PDIU NE KOALICIONIN QEVERISES
Disa javë më parë, PDIU-së iu dha edhe drejtimi i Drejtorisë së Arkivave, ku u emërua drejtor Ardit Bido, anëtar i forumeve drejtuese të PDIU-së. Mediat flasin edhe për një post ministror që pritet ta marrë partia e drejtuar nga Idrizi, madje thuhet se kanë nisur negociatat për Ministrinë e Kulturës.

I ftuar edhe pak ditë më parë në emisionin “Studio e hapur” të gazetares, Eni Vasili në “News 24”, kryeministri la të hapur edhe mundësinë e përfshirjes në kabinetin qeveritar të një ministri çam. I pyetur nëse ka pasur apo jo një kërkesë nga Greqia për të mospërfshirë në qeveri një ministër që vjen nga ky komunitet, Rama tha se Athina zyrtare as nuk duhet ta mendojë që t’i bëjë një kërkesë të tillë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: