NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Dy nga partitë e ko alicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partia Demokracia Sociale presin të marrin pas zgjedhjeve vendore edhe poste në qeveri, në bazë të marrëveshjes që nënshkruan me kryeministrin Edi Rama. Burimet nga e majta bëjnë me dije se nuk ka në fakt një afat të përcaktuar se kur do të përmbushen këto detyrime që kryeministri Rama u ka dy aleatëve, me të cilët negocioi për t’i bërë pjesë të koalicionit zgjedhor të 21 qershorit.

Pas bisedimeve që u zhvilluan qysh në fund të marsit të këtij viti, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi mundi t’i marrë kreut të qeverisë premtimin për t’u lënë çamëve disa poste drejtorësh të përgjithshëm, edhe pse aktualisht vijohet të mbahet nga kjo parti, drejtimi i Sigurimeve Shoqërore. Sipas të njëjtave burime, PDIU-së mësohet se mund t’i jepet një post zv/ministri në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Prania e PDIU-së në këtë dikaster është më shumë një sfidë që lidhet me programin e saj, që synon zgjidhjen e çështjes çame dhe zgjidhjes së problemeve që ky komunitet ka me shtetin grek prej shekujsh. Në diskutim mes kryeministrit Rama dhe PDIU-së janë 2 apo 3 poste zv/ministrash, pas marrjes së postit në nënkryetarit të Kuvendit nga vetë kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi. PDIU, në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 arriti të fitojë në 3 bashkitë që asaj iu la e drejta të përfaqësohet me kandidatë në Peqin, Rrogozhinë dhe Konispol dhe nga 45 mijë vota që kishte në zgjedhjet e shkuara, ka marrë rreth 60 mijë.

Ndërkaq, më herët ka qenë në negociata marrja e një ministrie si ajo e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë apo ajo e Transporteve. Por, burimet bënë të ditur se në dikasterin e parë nuk bëhet fjalë që tashmë të ndryshohet ministri i sapovendosur, Blendi Klosi, i cili zuri vendin e Erion Veliajt, që tashmë u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në Ministrinë e Transporteve që drejtohet nga Edmond Haxhinasto flitet prej ditësh se do të ketë zhvendosje, por kjo nuk konfirmohet nga LSI. Edhe pse nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta nuk u hodh poshtë fakti se mund të ketë një reformim të kabinetit qeveritar. Meta tha se, “kjo i përket kryeministrit”.

MARRËVESHJA ME PDS
Kryeministri Edi Rama ka edhe një marrëveshje me kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Kreu i PDS negocioi fort deri në momentet e fundit, duke mos pranuar të hynte në koalicion me PS-në në këto zgjedhje pa u zbatuar marrëveshja e zgjedhjeve të 2013. Në takimet e herë pas hershme që Milo pati edhe me kryeministrin Rama, por më shumë me nënkryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u diskutua për ato poste që mund të marrë PDS. Kështu, burimet thanë se PDS mund të ketë një post zv/ministri që mund të jetë në Ministrinë e Arsimit ose në Ministrinë e Transporteve, si dhe disa drejtorë rajonalë.

Milo ka bërë të qartë se këto poste nuk i do për veten e tij. Ai nuk do të jetë në asnjë pozicion ekzekutiv. Madje, ka gjetur edhe personat e duhur për këto pozicione, në bazë të kërkesave që ai ka bërë. PDS në këto zgjedhje ka mundur të marrë rreth 20.067 vota, që nënkuptojnë një rritje, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Nuk dihet nëse këto hyrje të reja në ekzekutivin shqiptar do të bëhen në këto muaj të verës apo do të pritet muaji shtator për të rifilluar puna, pas pushimeve të verës. Ndërsa me aleatët e tjerë, marrëveshjet janë për bashkëpunim në nivel lokal, në bazë të rezultateve që secila parti ka marrë në zgjedhjet e 21 qershorit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb