DIBER- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka prezantuar kandidatët për deputet në Qarkun e Dibrës, për zgjedhjet e 18 qershorit. Në një takim madhështor të zhvilluar në Muhurr, deputeti Aqif Rakipi prezantoi kandidaten e PDIU-së që kryeson listën në këtë qark, Reme Lala. Rakipi u shpreh se PDIU ka zgjedhur në Dibër një vajzë të re, e cila sipas tij, do të jetë deputete e të gjithë dibranëve.

“Prania juaj këtu në Muhurr, tregon se sa deputet do të marrë Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet në Dibër. Reme Lala do të jetë deputete, por do të zgjidhet deputet edhe kandidati i dytë. Duke votuar një vajzë të re, keni votuar për hallet dhe problemet që keni patur deri më sot. Votoni për vajzën tuaj, për bijën tuaj, mbështesni Reme Lalën. Nga 18 qershori ju do të keni deputeten tuaj dhe këtë e tregon edhe mbështetja këtu në Muhurr”,- tha deputeti Aqif Rakipi.

Ndërkohë kandidatja për deputete Reme Lala u shpreh se do të përfaqësojë vlerat e dibranëve, që sipas saj, deri më tani nuk e ka bërë askush.

“T’ja kthejmë shpresën Dibrës dhe dibranëve. Do të shkruajmë me gërma të arta historinë e Dibrës. Po vjen një erë ndryshimi dhe ju premtoj se Dibra s’do ngelë kurrë pa filiza dhe fidanishte vlerash. Ju bëj thirrje të gjitha grave dibrane të më shohim si vajzën e tyre dhe ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat të na bashkohen në rrugën që kemi nisur.

Në Dibër nuk ka një mjek anastezist, për një apandesit duhet ikur deri më Tiranë, në Dibër nuk ka rrugë që fermerët të çojnë prodhimin e tyre ku duan. Në Dibër nuk ka treg dhe çdo gjë është e ndaluar dhe Dibra ka mbetur e bllokuar. Prandaj ju ftoj të gjithëve bashkë të punojmë e të luftojmë për Dibrën.

Deputetët e mëparshëm nuk kanë përfaqësuar vlerat e Dibrës, por kanë folur në emër të Dibrës, nuk kanë qarë hallet e saj, por ja kanë shtuar hallet Dibrës.

Dua votën tuaj dibranë, dua të shkojë në Parlament të përfaqësoj Dibrën. Kutinë e votimit unë e quaj të shenjtë, do rri e hapur për 12 orë, prandaj votoni nr.5, votoni PDIU-në”,- u shpreh Reme Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: