KOSOVE- Në takimin që kanë zhvilluar me Presidenten Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, e kanë informuar të parën e vendit që për shkak të harmonizimeve ndër partiake ata dëshirojnë që mbledhja e Kuvendit, ku do të zgjidheshin organet e Kuvendit dhe qeveria, të mbahet me 8 dhjetor.

Lideri i PDK-së dhe ai i LDK-së duket se po synojnë ta shtyjnë edhe më shumë krijimin e institucioneve, për shkak se ende nuk janë gati me harmonizimin e programit qeverisës.

Këtë qëndrim ata e kanë shprehur sonte në takimin e mbajtur në Presidencë.
Burime brenda PDK-së thonë se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë vënë në dijeni Presidenten Jahjaga se synojnë që seancën konstituive ta thërrasin me 8 dhjetor. Ndërkohë që të njëjtat burime saktësojnë se Jahjaga ka kërkuar nga ta që institucionet të themelohen këtë muaj.

Pavarësisht kësaj, duket se partnerët e rinj janë insistues në këtë pikë.
Presidentja, përmes një komunikate, konfirmoi synimet e partnereve për shtyrjen e formimit të institucioneve.

“Presidentja Jahjaga u njoftua me ecurinë e bisedimeve mes dy partive politike në harmonizimin e programit qeveritar dhe konsolidimin e prioriteteve shtetërore dhe i inkurajoi liderët e dy subjekteve politike që kanë arritur pajtueshmëri ndërpartiake për bashkëqeverisje javën e kaluar që përbrenda këtij muaji të krijojnë institucionet relevante për të kompensuar kohën e humbur në përmbushjen e obligimeve institucionale ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Presidentes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb