TIRANE- Partia Kristian Demokrate mblodhi dje Këshillin Kombëtar, i cili vendosi të vijojë negociatat me mazhorancën dhe opozitën. Një gjë të tillë e konfirmoi kryetari i kësaj partie, Dhimitër Muslia. Në këtë mbledhje, në të cilën ishte edhe deputetja Ferracaku, Këshilli Kombëtar analizoi situatën politike që po kalon vendi si dhe ndërmori hapa të rëndësishëm në drejtim të organizimit dhe të mirëfunksionimit të strukturave. Këshilli u përqendrua në rritjen e anëtarësisë së kristiandemokratëve si dhe i orientoi strukturat për angazhim të menjëhershëm për zgjedhje politike të parakohshme apo të radhës.

Njëkohësisht, këshilli mandatoi edhe një grup prej tre personash, kryetarin, Dhimitër Muslia, nënkryetarin Gjergj Zefi dhe Sekretaren e Përgjithshme e njëkohësisht deputeten Mirela Ferracaku, për negociata me faktorët e tjerë politikë, në mazhorancë apo në opozitë qofshin, si dhe me partitë simotra, për unifikim të faktorit demokristian. Këshilli Kombëtar zgjodhi gjithashtu në punimet e tij edhe 21 anëtarët e kryesisë, të cilët përfaqësojnë vlerat më të mira në shoqëri dhe politikë, elementë të spikatur të profesioneve të ndryshme dhe me shumë përvojë. Këshilli Kombëtar zgjodhi nënkryetarin, Gjergj Zefin. Partia Kristian Demokrate më parë është drejtuar nga ish-deputeti Mark Frroku, i cili ndodhet në qelinë e burgut, pasi akuzohet për një vrasje të kryer në Belgjikë vite më parë. Pas largimit të tij nga parlamenti, vendin e tij e zuri deputetja Ferracaku, ndërkohë që drejtimin e partisë e ka marrë Dhimitër Muslia.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: