Nga: VALENTINA MADANI*
BRUKSEL- Komisioni i Jashtëm të Parlamentit Europian diskuton sot 192 amendamente për draft-rezolutën e raportuesit Knut Fleckenstein për Shqipërisë. Këto amendamente reflektojnë së shumti shqetësimin për zhvillimet e fundit politike në vend, infiltrimin e qarqeve kriminale në jetën politike dhe hallkat e drejtësisë, si dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Raporti njoftohet se do të diskutohet rreth orës 15:00 deri në orën 18:30.
Për dekriminalizimin e institucioneve shqiptare janë paraqitur disa amendamente, ku nënvizohet trajtimi i personave me të dhëna kriminale në postet publike. “Mbështetet marrëveshja e 24 dhjetorit 2014, përmes së cilës u vendos që opozita të rifillojë aktivitetet e saj parlamentare. Kërkohet respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe shqyrtimi i çështjes së personave me të dhëna kriminale të kandidatëve për poste publike. Marrëveshja e dhjetorit duhet të zbatohet në frymë konstruktive. Konsiderohet e rëndësishme që e gjithë të shoqëria civile në Shqipëri, mediat dhe qytetarët të bëjnë të përgjegjshëm liderët e tyre për pasojat e politikave të caktuara”, thuhet në amendamentet për marrëveshjen e dhjetorit. Në amendamentet e shumta për gjyqësorin dhe luftën kundër krimit të organizuar është shtuar në mënyrë të përsëritur togfjalëshi “infiltrimi i qarqeve kriminale”.

“Drejtësia shqiptare përballet me probleme të tilla, si politizimi i organeve të saj, shkalla e kufizuar e llogaridhënies, korrupsionit në nivel të lartë, infiltrimi nga qarqet kriminale, mungesa e burimeve dhe numri i shumtë i lëndëve të pazgjidhura”, thuhet në amendamentet për gjyqësorin. Për gjyqësorin kërkohet gjithashtu forcimi i kornizës disiplinore për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si dhe përmirësimi i efikasitetit të gjykatave. Shprehet gjithashtu shqetësim lidhur me dobësinë e gjyqësorit shqiptar për të luftuar kundër korrupsionit brenda strukturave të veta dhe kërkohet trajnim i përbashkët i specializuar për prokurorët, gjykatësit dhe oficerët e policisë. Korrupsioni mbetet ende një shqetësim shumë i madh në draft-rezolutë dhe të gjitha amendamentet lidhur me këtë fenomen. Lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, shprehet shqetësimi për problemin e madh që përbëjnë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës, pavarësisht përparimeve në shumë aspekte të luftës kundër krimit të organizuar. Lidhur me administratën publike, mirëpritet fillimi i zbatimit të ligjit për shërbimin publik dhe kërkohet që shërbimi publik të jetë i depolitizuar dhe i lirë nga ndikimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tërhiqet vëmendja edhe për shqetësimin lidhur me ndikimin e mundshëm të moszbatimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, që mund të ketë një ndikim negativ në zgjedhjet e ardhshme. Janë paraqitur gjithashtu amendamente, ku shprehet shqetësim i thellë në lidhje me kthimin në territorin e Shqipërisë të njerëzve të përfshirë në organizata dhe akte terroriste në Lindjen e Mesme. Aty theksohet nevoja për të marrë veprim vendimtar për të parandaluar çdo përpjekje dhe veprim me qëllim rekrutimin e vullnetarëve. Në amendamente konsiderohet pozitive rritja e numrit të njësisë policore kundër terrorizmit. Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu progres në mbrojtjen e të drejtave të pronës, të minoritetit, dhe hartimin e një projektligji për të hapur arkivat e shërbimeve sekrete të periudhës së komunizmit.

(ma.ar/Gazeta Shqiprare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: