TIRANE-Kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka ka komentuar veprimin e kreut të Bashkisë së Tepelenës Termet Peci, i cili  shfaqej në një aktivitet duke kënduar këngë për Enver Hoxhën. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ ne News24, Simon Miraka tha se është i shokuar nga veprimet e kreut të bashkisë së Tepelenës dhe fyerje për ish të përndjekurit.

“Të them të drejtën jam shokuar sepse nuk pritet që mbas 28 vitesh demokraci ti këndohet diktatorit, kur dihet se çfarë ka bërë ai. Është një fyerje jo vetëm për ish të përndjekurit, por për të gjithë. Ti këndosh diktatorit tregon se ne nuk kemi ndërgjegje. Ne kemi sadisfakison kur shohim një palë që vuan. Por përderisa nuk kemi një ligj që të ndalojë simbolet e komunizmit ligjërisht nuk ke si e dënon. Ndërgjegjja nuk e ekziston dhe nuk mund ti thuash gjë atij që këndon këngët e Enverit”- tha ish i përndjekuri politik.

Kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë komentoi edhe deklaratën e deputetit të PD, Tritan Shehu që i kërkoi kryeministrit Edi Rama shkarkimin e kreut të bashkisë së Tepelenës.

“Shkarkimi bëhet kur shkelet ligji. Nëse ka një ligj që ndalon simbolet komuniste atëherë ai shkarkohet me ligj. Mesa di unë një ligj të tillë nuk ka, por di që PD po përgatitet për një ligj të tillë. Thirrja e Tritan Shehut duhet të bazohet në ligj dhe jo në dëshira. Unë thashë që është një fyerje veprimi i Tërmet Pecit dhe presim një reagim nga ai.”- tha Miraka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb