Këshillimi i karrierës po merr një vëmendje gjithmonë e më të veçantë nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Për plot 3 javë, 20 këshillues karriere nga universiteti “Luarasi”, Universiteti i Tiranës, Bujqësori e universiteti i Durrësit kanë ndjekur një trajnim mundësuar nga qeveria zvicerane, ofruar përmes projektit Risi Albania. Ky trajnim certifikues sipas standardeve ndërkombëtare ka si synim ngritjen e kapaciteteve të qendrave të karrierës në Shqipëri dhe ridimensionimin e profesionit të këshilluesit të karrierës.

Pedagogu i universitetit “Luarasi”, Virtyt Lezha tha se në realitetin e sotëm studentët nuk janë të mirëinformuar mbi atë çka i pret në tregun e punës. Sipas tij, këshillimi i karrierës është një mundësi shumë e mirë për të ardhmen profesionale të të rinjve.

Koordinatori i Qendrës së Karrierës në universitetin Bujqësor të Tiranës, Shpresim Domi thekson se roli i universiteteve tashmë nuk ngelet vetëm brenda kuadrit të të nxënit, por thellohet më tej duke i mbështetur studentët në tregun e punës.

Trajnimi i 20 këshilluesve të parë të karrierës në këto 4 universitete do të shërbejë si model për t’u replikuar edhe nga universitetet e tjera për të përmirësuar shërbimin e këshillimit të karrierës, për t’u ofruar më shumë mundësi punësimi studentëve të tyre. Këshillimi i karrierës ka disa avantazhe pasi ndihmon artikulimin e nevojës për të mësuar, rrit aksesin në arsimim dhe përfundimin e tij dhe rrit punësimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb