NGA JETON SELIMI

Pero Pejiç nuk do të jetë më lojtar i Kukësit, ndërsa sot do të udhëtojë drejt Iranit, ku e pret kontrata milionere me Esteghlalin. Në fillim u aludua që kroati do të vijonte të qëndronte me verilindorët edhe për dy ndeshjet e turit të tretë kundër Legias së Varshavës, por sulmuesi shtatlartë nuk ka ndërmend të ndryshojë planet e tij.

“Nuk do të luaj më me Kukësin, sepse do të luaj në Teheran. I uroj gjithë të mirat presidentit Safet Gjici, ai meriton respekt. Gjithashtu, falënderoj të gjithë që njoha gjatë gjithë sezonit te Kukësi. Pa këta lojtarë, nuk do të isha këtu, kështu që të gjithë meritojnë respekt të veçantë”, ka deklaruar kroati menjëherë pas ndeshjes së djeshme, qëndrim të cilin nuk e ka ndryshuar as dje, ndonëse u përfol për një kthim mendjeje të mundshme të kroatit.

Pejiç rrëfen emocionet e ndeshjes së Podgoricës, ku shënoi dy gola, por që u shkaktoi malazezëve zemërim, saqë nuk u përmbajtën dhe thirrën “ubi-ubi siptara” (vriti-vriti shqiptarët), “ubij zakolji, da siptar ne postoji” (vriti, masakroji, që asnjë shqiptar të mos mbesë). Si kroat që është, Pero ka kuptuar që në fushën e lojës se çfarë thoshin malazezët në tribuna, por ka deklaruar se kjo e bëri edhe më të fortë atë dhe krejt skuadrën. “Nuk e di çfarë të them për ata, është e turpshme. Ata filluan të flasin “Serbia Serbia Serbia”.

Më pas nisën me atë shprehjen tjetër (“nuk mund ta përsëris”, tha Pejiç jashtë mikrofonit), por ne jemi lojtarë profesionistë. Ne luajtëm dhe luftuam për fanellën tonë, na u shtuan forcat për fitore. Mbi të gjitha, ajo nuk ishte shfaqje e mirë, sepse politika nuk duhet të futet te sporti. Përpara ndeshjes isha përgatitur shpirtërisht, sepse do të ishte ndeshja ime e fundit me Kukësin. U përpoqa që të bëja maksimumin dhe arrita që të shënoj dy herë.

Kjo është fitore e rëndësishme si për mua, edhe për Kukësin. Pas dy golave dhe kualifikimit, ndihem super. Kaluam në turin e tretë, që është hap i rëndësishëm për mua, për klubin dhe drejtuesit. Kukësi do të luajë kundër Legias, një klubi profesionist dhe kjo është shumë pozitive për të”. Më pas, me sinqeritet, Pejiç deklaron se largohet drejt Iranit sepse kërkon kontratën e majme të fundit në karrierë, pasi me Esteghlalin ka nënshkruar për dy vite, ndërsa përflitet se paga e tij do jetë rreth 230 mijë euro në sezon.

“Nuk po shkoj atje për të provuar një kampionat të ri. Unë po shkoj për të marrë më shumë para, sepse ky është shansi im i fundit në karrierë që të fitoj kaq shumë”. Pero Pejiç është lojtari i huaj më i mirë që ka luajtur në Shqipëri. Kroati është përshtatur mrekullisht me të gjitha skuadrat ku ka luajtur, duke u shndërruar edhe në pikë referimi te Dinamo, Tirana, Flamurtari, Skënderbeu dhe së fundmi Kukësi. Pejiç ka fituar 3 tituj kampionë, një me Dinamon në sezonin 2007-’08 dhe dy me Skënderbeun në sezonet 2012-’13 dhe 2013-’14. Gjithashtu, ai ka fituar dhe dy herë titullin e kryegolashënuesit të Superiores. Në sezonin 2013-’14 shënoi 20 gola për Skënderbeun, ndërsa në edicionin që sapo u mbyll, tundi plot 31 herë rrjetën në 35 ndeshje të luajtura.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: