Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pelegrinët, të cilët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite për të ndjekur pelegrinazhin e 20 shtatorit në Mekë, do të duhet të vaksinohen kundër meningokokut si dhe të këshillohen për sëmundjet infektive. Pajisja me Certifikatën Ndërkombëtare për meningokok 4 valent(ACYW135) është një kusht i vendosur nga Ambasada e Arabisë Saudite, si një nga dokumentet bazë për marrjen e vizës për udhëtimin drejt Mekës. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar hapat që duhet të ndiqen, në mënyrë që të pajiseni me këtë dokument si dhe për të marrë informacionet e ne-vojshme rreth sëmundjeve infektive.
Procedura
Fillimisht, udhëtarët duhet të marrin vaksinën kundër meningokokut (ACYW135) 4 valent pranë Institutit të Shëndetit Publik, kur ajo është e disponueshme. Në të kundërt, ata duhet të paraqiten me vaksinën e blerë në mënyrë individuale ose nga Komuniteti Mysliman, pranë zyrës së epidemiologjisë dhe vaksinimit në ISHP. Secili udhëtar do të pajiset me Certifikatën Ndërkombëtare, e cila plotësohet pjesërisht nga ISHP-ja dhe pjesërisht nga Shërbimi Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Personi udhëtues duhet të shkojë në Spitalin Infektiv, në QSUT, ku i aplikohet vaksina e meningokokut dhe ku plotësohet pjesa e paplotësuar e Certifikatës Ndërkombëtare. Pas këtij hapi, udhëtarët duhet të riparaqiten pranë ISHP-së, ku arkivohet një kopje e Certifikatës Ndërkombëtare, e cila hidhet në databasën e udhëtarëve pranë zyrës së Epidemiologjisë. Sipas MSH-së, aplikimi i vaksinës kundër meningokokut vlen për 3 vjet dhe nëse udhëtohet sërish për këtë ritual në këto vende brenda tri viteve pas aplikimit, udhëtarët kanë të drejtë të marrin dublikatë të Certifikatës Ndërkombëtare pranë ISHP-së. Gjithashtu, të gjithë pelegrinët që udhëtojnë për Haxh dhe Umrah duhet të sigurohen se vaksinimi për sëmundjen e poliomielitit është i rregullt dhe i kryer ashtu si duhet. Ata që e kanë marrë dozën e fundit të vaksinës ndaj kësaj sëmundjeje 10 vjet më parë, duhet të kryejnë rivaksinimin me një dozë vaksine. Gjatë aplikimit për vizë, Arabia Saudite kërkon të provohet që vaksinimi është kryer të paktën 6 javë përpara nisjes. Nga ana tjetër, të gjithë pelegrinët duhet të sigurohen që kanë marrë vaksinimin sipas Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit dhe e kanë përditësuar atë, përfshi këtu edhe vaksinimin ndaj fruthit, rubeolës dhe parotitit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shmangin infektimin nga këto sëmundje.
Këshillimi
Në të njëjtën kohë, detyrimisht pelegrinët këshillohen për masat e thjeshta për kufizimin e infeksioneve respiratore, për MersCov, virusin e gripit, për mbajtjen e etiketës respiratore (vendosja e maskës respiratore, përdorimi i shamive të letrës me një përdorim, higjiena e duarve etj.). Po ashtu, ata këshillohen për masat mbrojtëse ndaj sëmundjeve infektive në rastet e grumbullimeve masive të këtij lloji për mbajtjen korrekte të higjienës ushqimore, hidrike dhe personale gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit. Në këto kushte, ata duhet të kenë parasysh që të paraqiten pranë qendrave shëndetësore që u janë vënë në dispozicion gjatë pelegrinazhit dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse u shfaqen shenjat e para të një infeksioni respirator apo gjendje tjetër shëndetësore. Gjithashtu, kur kthehen nga Lindja e Mesme me shenja të lidhura me frymëmarrjen, qoftë dhe të lehta, pavarësisht gjasave për një sëmundje të zakonshme respiratore si rrufa apo i ftohti, duhet të vizitohen te mjeku, sidomos kur shenjat përkeqësohen në drejtim të mungesës së frymëmarrjes dhe mbushjes me frymë. Haxhi, pelegrinazhi vjetor drejt Mekës, është një nga grumbullimet më të mëdha në botë. Çdo vit rreth dy milionë myslimanë nga e gjithë bota bëhen pjesë e tij. Gjatë këtij rituali fetar, nga Shqipëria parashikohet të shkojnë rreth 400 pelegrinë, prej të cilëve, 300 janë nga Komuniteti Mysliman dhe 100 pelegrinë në mënyrë individuale.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb