KORÇE- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka marrë pjesë në takimin e katërt të Forumit Urban që po zhvillohet në të gjithë vendin, këtë herë në qytetin e Korçës. Gjatë këtij aktiviteti, Peleshi deklaroi se ky debat i shërben zhvillimit dhe rilindjes së qyteteve. Për këtë qëllim, sipas tij, qeveria ka vënë në dispozicion 125 milion dollarë.


“Është koha të zhvillojmë diskutimet publike. Ky forum mbledh sëbashku aktorët e zhvillimit dhe ka si slogan rilindjen e qyteteve të bashkëjetesës komunitare. Por zhvillimi urban nuk duhet të neglizhojë trashëgiminë. 125 mln dollarë janë vënë në dispozicion të planeve të projekteve të bashkive, për zhvillimin e qyteteve për vitin 2015. Jemi duke inkurajuar bashkitë të aplikojnë për projekte jo vetëm infrastrukturore, por për zhvillimin në tërësi urban”, tha Peleshi.


Numri dy i qeverisë tha se duhet të rishikohet alokimi i burimeve për nevojat e qyteteve. “Do duhet të fillojmë të mendojmë për projekte dhe investime që i përqasen më tepër bashkëjetesës komunitare, apo duhet të mendojmë për to pasi të kemi zgjidhur nevojat bazike. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e fondit, por edhe të filozofisë”, u shpreh zëvendëskryeministri.


Peleshi e vuri theksin në vlerat e bashkëjetesës komunitare, të cilat sipas tij ringjallen në sajë të këtyre investimeve.

“Ne nënvlerësuam publiken dhe kjo gjë solli informalitetin në publik. Sëbashku me bashkitë në gjithë Shqipërinë, të ringjallim përmes këtyre investimeve vlerat e vërteta të bashkëjetesës komunitare. Opozita na kritikon dhe i quan këto investime kozmetikë. Nuk janë kozmetikë, por krijojnë një mjedis tregtar më të favorshëm për qytetet tona”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi u shpreh se nëpërmjet këtyre projekteve synohet gjenerimi i optimizmit për të gjitha qytetet.

“Qytetet larg metropolit po kalojnë një periudhë depresive, sepse banorët nuk besojnë tek ardhmja e këtyre qyteteve dhe shumë largohen. Duhet të gjenerojmë optimizëm, optimizmi buron nga kreativiteti. Misioni ynë nuk është të mos bëjmë më keq, misioni ynë të fillojmë edhe bukur, do të thotë të jemi kreativë, të guxojmë të provojmë edhe nëse gabojmë”, tha Peleshi.

Në përfundim ai shtoi se debatet janë të shëndetshme, sado dhimbje koke të prodhojnë. “Qoftë edhe ato që kanë doza politike, motive politike. Nëse ka debate, do të thotë që këto qytete jetojnë, që ka reagim qytetar”, u shpreh Peleshi.

(m.k/BalkanWeb)