TIRANE- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka kërkuar sot mbështetjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për energjinë elektrike. Peleshi ndoqi sot nga afër aksionin e OSHEE në zonën e Komunës së Parisit, në afërsi të Qendrës Kristal ku u njoh nga punonjësit e OSHEE lidhur me ecurinë e ndërhyrjeve.

Zëvendëskryeministri tha se misioni i qeverisë është që tu shërbejë qytetarëve, por problematika të caktuara qeveria nuk i zgjidh dot e vetme, pa ndihmën dhe mbështetjen e qytetarëve. Në këtë kontekst ai u kërkoi punonjësve të OSHEE që t’i kushtojnë rëndësi komunikimit me qytetarët. “Për të përçuar tek qytetarët mesazhin për zgjidhjen e problemit të energjisë vërtetë duhet të investojmë ne sistem, por mbi të gjitha duhet që secili prej nesh të paguajë energjinë që konsumon sepse nuk është e drejtë që shumica të paguajë energjinë, kurse disa jo”, tha Peleshi.

Ai shtoi se jo rastësisht ky aksion ka nisur nga bizneset, pasi është e pafalshme që të fitohen para duke mos paguar energjinë në kurriz të atyre qytetarëve që janë të rregullt.

Duke ju përgjigjur sulmeve të opozitës, Peleshi tha se kjo nuk është një garë mes qeverisë e opozitës se kush bën populistin më të madh, aq më tepër që kjo qeveri vazhdon të përballet me problemet e krijuara nga qeveria e kaluar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: