NGA DARINA TANUSHI*
TIRANE-Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e vlerëson vitin e parë të qeverisjes së koalicionit të majtë si një vit që ka patur progres në ekonomi. “Jo vetëm u ndalua rrënimi, por jemi sot me një trend rritës dhe brenda objektivave të parashikuara për një rritje prej 2%”, tha Peleshi, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”. I pyetur për një nga temat e diskutuara ditët e fundit, atë për hapjen e dosjeve, zv.kryeministri tha se “shoqëria shqiptare ka nevojë të ketë transparencë në lidhje me krimet dhe abuzimet e sistemit të kaluar”. Sa u përket debateve e kritikave që janë bërë të zakonshme në Kuvend, mes deputetëve të PS-së dhe qeverisë, Peleshi i cilëson “normalitet demokratik”.

Z.Zëvendëskryeministër, viti i parë i qeverisjes së koalicionit të majtë kaloi. Si ishte për ju ky vit pune, si numri “dy” i ekzekutivit shqiptar?
E kam të vështirë ta përshkruaj me një fjalë këtë vit të parë. Ka qenë një vit, ku në njërën anë qëndronin sfida, probleme e vështirësi të mëdha, por në anën tjetër një energji, dëshirë për të punuar dhe entuziazëm po aq i madh. Më duhet ta pranoj që muajt e parë kanë qenë veçanërisht të vështirë. Ne trashëguam shumë probleme. Një ekonomi në rënie të lirë, një administratë publike të mpirë e apatike, një situatë të rënduar të rendit e sigurisë, një gjendje alarmante të financave publike që rrezikonte seriozisht ta çonte vendin në kolaps, një korrupsion e shthurje të përgjithshme të thuajse çdo zyre e institucioni. Pra, një pjesë e mirë e vitit të parë në qeverisje praktikisht u konsumua thuajse tërësisht duke u përpjekur të frenonim të tatëpjetën dhe duke u përpjekur të sillnim një minimum normaliteti në funksionimin e shtetit. Nga ana tjetër, gjatë këtij viti, pavarësisht vështirësive, është bërë shumë më tepër sesa thjesht të ndalej rrënimi e shthurja e shtetit. Ka pasur mjaft suksese e arritje reale. Unë nuk dua të listoj këtu çdo punë që kemi bërë, por ka padyshim disa momente me të cilat qoftë ne si ekip qeverisës, qoftë qytetarët që na kanë votuar mund të ndihemi krenarë. Është bërë një punë e madhe në drejtim të rivendosjes së ligjshmërisë në një sërë fushash, duke filluar nga rivendosja nën kontroll e atyre zonave si Lazarati që ishin kthyer në një njollë turpi e në një problem madhor për Shqipërinë. Apo kontrolli i territorit ku i është dhënë fund anarkisë së ndërtimeve pa leje e po punohet për rehabilitimin e dëmeve që ka shkaktuar ky aktivitet ndër vite. Duhet shtuar këtu po ashtu se ka një progres të ndjeshëm në situatën e rendit dhe sigurisë. Edhe pse mbetet shumë punë për të bërë, ka pasur progres të ndjeshëm përsa i përket ekonomisë, ku jo vetëm u ndalua rrënimi, por jemi sot me një trend rritës dhe brenda objektivave të parashikuara për një rritje prej 2%. E po kështu, me financat publike ku jo vetëm që nuk u verifikua ndonjë skenar grek për të cilin u fol në fakt shumë nga opozita, por sot kemi rritje të ardhurash, kemi shlyer një pjesë të mirë të detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrjes e duke filluar nga viti 2015 fillojmë madje uljen e borxhit publik. Gjithsesi, në gjykimin tim, puna më e madhe që është bërë gjatë këtij viti, e që në fakt është një punë që vetëm sa ka filluar, është fakti se po instalohet një filozofi e re qeverisëse dhe një raport i ri me shtetin. Pra, sot kemi një qeveri që nuk vepron thjesht e vetëm në emër të interesave të pushtetit duke bërë një hap përpara e dy hapa prapa, por në emër të interesave të vendit duke ndërmarrë reformat e masat që i nevojiten kaq shumë Shqipërisë, pavarësisht kostos që ato mund të kenë në planin elektoral. Kemi një qeveri e cila votën që e solli në pushtet e ka lexuar si një thirrje të qytetarëve për një ndryshim, që kalon në radhë të parë nga domosdoshmëria për të ndërtuar një shtet modern që ka në bazë të funksionimit të tij respektin për ligjin dhe autoritetin e shtetit. Natyrisht, nuk do të shkoja kurrsesi aq larg sa të pretendoja se jemi të pagabueshëm apo që e kemi bërë gjithçka mirë. Sigurisht, që ka ende shumë probleme dhe sigurisht që ka vend për përmirësime e për më shumë punë. Por, nëse i hedh sytë pas, nga viti që sapo ka përfunduar mendoj se ka qenë një fillim i vështirë, por i mbarë dhe të gjithë ne kemi të drejtë të ndihemi mirë për atë që kemi arritur.

Parë në këndvështrimin tuaj, cilat nga premtimet që ju keni dhënë në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 nuk është përmbushur brenda këtij viti?
Ka një sulm absurd nga ana e opozitës lidhur me “mosmbajtjen e premtimeve” nga qeveria. Është një sulm që në fakt ka nisur që muajt e parë pasi ne morëm detyrën dhe që më shumë se çdo gjë tjetër flet për mungesën e kauzës e alternativave nga ana e opozitës. Kam dëgjuar,për shembull, shumë kritika përse nuk është mbajtur zotimi për shëndetësinë falas, apo për 300 000 vende pune, që janë krejtësisht qesharake. E si mund të akuzosh një qeveri përse nuk ka përmbushur zotimet e programit të saj qeverisës 4-vjeçar, brenda vitit të saj të parë në qeverisje?
Ne kemi qenë krejtësisht të ndershëm me qytetarët si gjatë fushatës kur u artikuluan për herë të parë këto zotime, ashtu edhe pas marrjes së detyrës. Disa nga pikat më të rëndësishme të programit tonë qeverisës kërkojnë së paku një mandat për t’u realizuar sepse suksesi i tyre varet nga një reformë e thellë e madje dramatike e gjithë sektorit në fjalë, ose e shumë sektorëve nga performanca e të cilëve varet edhe përmbushja e zotimit tonë. E tillë është për shembull reforma në shëndetësi, reforma e sistemit të energjisë, apo plani ynë për të ndërtuar një model të ri ekonomik të bazuar tek prodhimi dhe eksportet.
Nga ana tjetër, brenda vitit të parë, edhe pse jemi përballur me probleme e sfida të jashtëzakonshme, ne kemi arritur të kthejmë në realitet shumë prej zotimeve tona përpara qytetarëve. Ashtu siç u zotuam sot kemi një sistem të ndershëm taksimi ku kush fiton më shumë paguan më shumë. Kemi bërë realitet reformën Administrative–Territoriale dhe reformën e pensioneve që janë padyshim dy nga reformat më të rëndësishme për vendin që askush nuk kishte guxuar t’i ndërmerrte për vite me radhë. Tek kjo e dyta do të veçoja veçanërisht pensionet e minatorëve si një element që ndikon për mirë në jetën e një prej shtresave më të vuajtura të shoqërisë shqiptare. Kemi zhdukur skemën piramidale në sistemin arsimor dhe kemi hedhur hapa mjaft të rëndësishëm drejt reformimit të arsimit profesional dhe tregut të punës. Kemi garantuar rritje ekonomike optimale në përputhje me të gjitha parashikimet tona e të partnerëve tanë në Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kemi vendosur një marrëdhënie krejtësisht të transformuar me sipërmarrjen e cila sot nuk vuan më presionin nga pushteti, por shihet si partnere në hartimin dhe miratimin e politikave ekonomike. Funksionimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, përmirësimi me plot 40 vende i renditjes së Shqipërisë në Indeksin e ‘Doing Business’ janë provat më të qarta të këtij transformimi. Jemi sot një vend kandidat për në BE, ndërkohë që nuk mbajmë më mbi vete njollën e një vendi plantacion kanabisi. Kemi shlyer qindra miliona dollarë detyrime të prapambetura, borxhe të krijuara nga qeveria e mëparshme për punë publike të prokuruara, por pa fondet përkatëse, dhe ndërkohë me buxhetin e vitit 2015 do të fillojmë uljen e borxhit publik.
Pra, mendoj se nuk kemi asnjë arsye për t’i marrë parasysh këto pretendime të opozitës, aq më tepër që edhe kur bëhet fjalë për reformat madhore si ajo e shëndetësisë apo për vendet e punës, pasi gjatë këtij viti janë hedhur disa hapa shumë të rëndësishëm që i hapin rrugë zbatimit të tyre brenda afateve të deklaruara publikisht.
Ju kemi parë këto kohë që keni dalë shpesh në krah të punonjësve të OSHEE në aksionin për ndërprerjet e paligjshme. A do të jetë durimi dhe vullneti i qeverisë që kjo të vijojë deri sa të mos ketë vërtetë asnjë abuzim me energjinë?
Situata në sistemin energjetik është një nga krimet më të mëdha që janë kryer në këtë vend gjatë këtyre 25 vjetëve tranzicion. Një krim që mori përmasa të frikshme e të papërballueshme gjatë qeverisjes së paraardhësve tanë ku energjia u kthye në një mall pa zot. Dhe është e pabesueshme sesi pikërisht ata që me privatizimin e dështuar të sistemit të shpërndarjes dhe me inkurajimin e abuzimeve për qëllime të pastra korruptive e elektorale e çuan sistemin në zgrip të kolapsit të plotë, sot gjejnë guximin të denoncojnë përpjekjet për ta reformuar sistemin. Reformimi i sistemit energjetik, ndalja e vjedhjeve dhe humbjeve në këtë sistem nuk janë gjëra opsionale. Janë një domosdoshmëri! Asnjë vend nuk mund të pranojë 150 milionë euro humbje çdo vit nga vjedhjet e korrupsioni në sistemin energjetik. Aq më pak një vend me burimet e kufizuara të Shqipërisë. Mendoni sa rrugë, shkolla, spitale, projekte zhvillimi, vende pune mund të bëhen me kaq para! Por jo vetëm kaq. Asnjë vend që e merr seriozisht vetveten nuk mund të pranojë raportin që ishte krijuar mes qytetarëve dhe shtetit e ligjit në fushën e energjisë, ku vjedhja e energjisë nga qytetarë dhe sipërmarrje shihej si diçka krejtësisht normale, madje diçka për t’u krenuar. A e imagjinoni dot një situatë të ngjashme në cilindo vend europian? A e mendoni dot një situatë si kjo në cilindo vend të rajonit? Thjesht nuk ndodh! Ne kemi të gjithë vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj reforme për të dyja këto arsye madhore. Nuk është një aksion i lehtë dhe sigurisht që do të kërkojë kohën e tij. Por jemi shumë të inkurajuar nga progresi i shënuar deri më tani e veçanërisht nga bashkëpunimi që kemi gjetur nga pjesa dërrmuese e qytetarëve.
Ju, si anëtar i kabinetit qeveritar e dini më mirë, për shkak edhe të detyrës së mëparshme që keni mbajtur si kryebashkiak, se veç shtresës së varfër, ka edhe nga ata qytetarë që i përkasin, le të themi një shtrese të mesme, por nuk mund ta përballojnë një rritje të çmimit të energjisë. A mendoni se po e dëmtoni këtë shtresë që nuk është pak, në Shqipëri?
Më lejoni ta nis me një fakt të thjeshtë: Zinxhiri i borxheve në sistemin energjetik sot në Shqipëri ka arritur në rreth 1.1 miliardë dollarë. 1.1 miliardë dollarë që janë fatura e abuzimit dhe vjedhjes që i është bërë këtij sistemi për vite e vite me radhë duke e çuar atë në një situatë ku nëse nuk ndërhyhet sot, situata nesër do të jetë shumë herë më e dhimbshme dhe dramatike.
Për më tepër, siç ju thashë më lart, humbjet vjetore sot arrijnë në 150 milionë në vit! Dhe një pjesë e madhe e abuzimit që ka çuar në këto shifra të frikshme ka ardhur pikërisht prej asaj ndarjes në fasha, ku pavarësisht se fasha deri në 300 KW ishte caktuar për të mbrojtur shtresat në nevojë, kemi sot një situatë ku vila shumëkatëshe e paguajnë energjinë si të ishin familje në nevojë. Arsyeja kryesore për heqjen e fashës ka qenë pikërisht shmangia e hapësirës për abuzime në një sistem ku abuzimi e vjedhja ishte kthyer në normë. Unë besoj se kjo vjedhje e ky abuzim, kosto e së cilës paguhej pastaj nga familjet e ndershme shqiptare, që duhet thënë se janë shumica dërrmuese, u kushtonte qytetarëve në fakt shumë më tepër jo vetëm në taksa që paguheshin për të kompensuar vjedhjet, por edhe në investime të munguara, në vende pune të munguara, në shërbime të munguara. Prandaj, nga zgjidhja e këtij problemi, që e përsëris nuk e krijuam ne, por ne kemi detyrimin ta zgjidhim, janë qytetarët ata që do të përfitojnë.
A ka një ide paraprakisht, para se sa të japë vendimin ERE, se sa do të jetë çmimi i energjisë, pasi opozita është shprehur se ai do të jetë mbi 12 lekë për kilovat? Në fakt kjo është edhe kërkesa e OSHEE.
Vendosja e çmimit është në fakt kompetencë e autoritetit rregullator i cili merr një vendim pasi të ketë shqyrtuar kërkesat e palëve. Ka pasur shumë spekulime në lidhje me këtë çështje kryesisht të nxitura për arsye politike. Por mund të them se pretendimet e ngritura nuk kanë lidhje me realitetin. Ne kemi arsye të besojmë se vendimi do të jetë në favor të një çmimi të mesatarizuar dhe nuk do të arrijë kurrsesi ato nivele për të cilat flasin ata që e kanë sjellë sistemin në këtë pikë.
Këto ditë, me hapjen për herë të parë të muzeut ‘Bunk’Art’ u risoll në skenë sërish ideja e shumëdiskutuar ndër vite për hapjen e dosjeve të komunizmit. Mendoni se kjo mund të bëhet realisht, pasi sa herë që në pushtet vjen një maxhorancë e re, kjo është një nga temat e pandara të diskutimeve politike?
Në fakt, unë nuk e njoh në hollësi këtë çështje, e cila është një çështje delikate që duhet trajtuar me kujdesin e duhur. Por personalisht, mendoj që shoqëria shqiptare ka nevojë të ketë transparencë në lidhje me krimet dhe abuzimet e sistemit të kaluar. Në kuadrin e festimeve të 70-vjetorit të çlirimit të vendit ka patur disa festime dhe përkujtime në rrethe, ku nuk ka munguar edhe fotoja e ish-diktatorit Enver Hoxha. Si i gjykoni këto veprime të një pjese të veteranëve? A është ndarë e majta nga figura e Enver Hoxhës?
Mendoj se çdo shfaqje nostalgjie për ish-diktatorin është e papranueshme. Por natyrisht, është e pamundur të shmangësh ekzistencën e grupimeve të tilla dhe të hysh në mendjet e grupimeve të tilla të cilëve u ka ngelur ora në një tjetër kohë.
Duke u kthyer tek politika e ditës, ka kohë, (mbase që prej kohës kur opozita filloi bojkotin ndaj Parlamentit), që është ngjallur një lloj oponence grup parlamentar-qeveri. Ndonjëherë nga jashtë kjo perceptohet si përçarje, por ndonjëherë kjo duket si fasadë. Çfarë po ndodh brenda shumicës?
Edhe qeveria edhe grupi parlamentar i shumicës thjesht bëjnë detyrën e tyre kushtetuese. Madje janë duke bërë edhe detyrën e opozitës, e cila ka vendosur ta braktisë Kuvendin. Është detyrë e Kuvendit të shqyrtojë dhe të miratojë ose të bëjë oponencën dhe t’i kërkojë llogari ekzekutivit për çdo nismë, pavarësisht se në realitetin politik shqiptar kjo rrallëherë ka ndodhur.
A ka përplasje PS-LSI, pyetje kjo që vjen nisur nga disa qëndrime publike të deputetëve të LSI-së, kritika të bëra në media ndaj qeverisë?
Edhe këtu vlen e njëjta përgjigje si më lart. Si deputetët e LSI ashtu dhe ata të PS, e sigurisht edhe ata të opozitës, kanë çdo të drejtë të shprehin qëndrime kritike ndaj nismave të qeverisë. Madje kanë detyrimin përpara votuesve dhe Kushtetutës ta bëjnë këtë ashtu siç kemi edhe ne detyrimin t’i marrim parasysh kritikat e tyre. Pra, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por është thjesht një shprehje e normalitetit demokratik dhe e raporteve të reja të respektit dhe bashkëpunimit me Kuvendin që jemi përpjekur të vendosim.
Dhe në fund, një pyetje për vendlindjen tuaj. Sa ju mungon Korça? Sa shpesh e vizitoni atë tani?
Korça u mungon edhe atyre që vijnë thjesht për ta vizituar. E si mund të mos më mungojë mua?

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb