Deputeti Niko Peleshi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se opozita e vendit është anormale, pasi fton qytetarët që të rrezikojnë burgun. Peleshi u shpreh se nuk i vjen aspak mirë që opozita e vendit bën të tilla thirrje.

“Kërkesat e opozitës janë antisistem, janë realisht absurde. Populli është kundër kërkesave të tyre. Ne kemi lëshuar, teksa kishte ministra teknikë, ndërsa edhe ministrat janë ndryshuar. Sa i takon zgjedhjeve të 2017, ato kanë qenë të vëzhguara së shumti nga faktori ndërkombëtar.

Ne jemi në konflikt interesi ta gjykojmë, por edhe qytetarë të zakonshëm besoj se nuk bien dakord me kërkesat opozitare. Lidershipi opozitar nuk lejohet që të thërrasë popullin opozitar në një rrugë të paligjshme. Të ftosh qytetarët që të dalin në rrugë duke rrezikuar burgun, është absurde dhe nuk do e donim as ne si situatë.

As ne si maxhorancë nuk do donim që opozita të ishte jashtë sistemit. Për ne 30 qershori pa kundërshtar, nuk është mirë. Aspak. Unë vetë nuk ndihem aspak mirë, që PS nuk ka kundërshtar në bashkitë e vendit. Opozita do ta bëjë qimen tra. Opozita apelon anormalitet politik e ligjor. Nuk është se bëhet kiameti pse shtyn zgjedhjet, por nuk ndryshon asgjë”, tha Peleshi.

Niko Peleshi u shpreh se protestat e studentëve i bëjnë mirë qeverisjes, për ta përmirësuar, ndërsa shtoi se duhet pranuar se edhe opozita krijon të tilla demonstrime.

“Përpara se të jemi politikanë, jemi qytetarë. Përpara çdo gjëje, na intereson e ardhmja e vendit. Duke qenë se duam të ardhmen e vendit, e vlerësojmë. Nuk mund ta mohojmë se në protestën e studentëve ka edhe pjesë të maxhorancës. Duhet thënë se Pakti i Universitetit është një platformë e pazakontë dhe interesante, e hapur dhe mbi të gjitha një platformë ku studentëve iu është krijuar mundësia që universiteti të bëhet më i mirë.

Aq sa kam konstatuar, ka rezultate shumë të mira. Kur vjen puna te studentët, duhet kuptuar në çdo formë. Ne i kemi borxh rinisë, sepse i kemi krijuar idenë e suksesit me anë të disa rrugë që nuk janë të mira si militantizmi. Mendoj se për protestën e studentëve, qeveria ka reaguar me ofertë serioze. Si çdo protestë tjetër, edhe kjo ka efektin pozitiv të shkundjes të qeverisë dhe institucioneve.  Nuk jemi përballë një premtimi të pambajtur, e kundërta është e vërtetë. Nga pakti mund të them se janë instaluar modele të reja, të arritjes në karrierë me anë të meritës”, deklaroi Peleshi.

Ish-zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se ndër të tjera, protestat e opozitës cenojnë imazhin e vendit. Ai tha se gjithashtu nuk i vjen mirë që disa persona burgosen, vetëm pse jepen urdhra politikë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb