Në emisionin “Në Shënjestër” gazetarja Glidona Daci foli për aksionet e SPAK, duke u ndalur edhe tek operacioni “Metamorfoza”.
“Zbulimi i aplikacionit SKY ka sjellë disa indicie për disa ngjarje në Durrës apo Elbasan dhe mund të jetë një tjetër fazë ku mund të dalin emra të tjerë. Pëllumb Gjoka duket sikur është pika kyçe e lidhjes mes strukturave të policisë së Shtetit, Prokurorisë së Shkodrës. Është pëllumb Gjoka që komunikon me prokurorin. Në gjithë këtë histori duket sikur gjithçka vërtitet rreth biznesmenit. Miqësia me Behar Bajrin faktohet edhe në një tjetër bisedë, ku Behar Bajri vetë-ofrohet për të kryer një vrasje si nder”, tha ndër të tjera gazetarja Glidona Daci.
Nga ana tjetër avokati Redi Ramaj u shpreh se në fazën në të cilën ndodhen aktualisht hetimet, është e mjaftueshme për të pasur të ndaluar.
“Krimi i organizuar, politika dhe policia fatkeqësisht bashkëpunojnë në dëm të qytetarëve. Punonjësit e policisë në shkelje të hapur të ligjit për vepra të rënda deri në vrasje kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Për fazën e hetimeve që jemi mendoj që këto komunikime janë të mjaftueshme për të ndaluar persona përkatës, pasi flasim për vepra penale të rënda. Interesi i çështjes është shumë i lartë dhe prokuroria ka detyrë të zbardhë shpejt çështjen dhe të ndajë se kush janë përmendur dhe kush jo”, tha ndër të tjera avokati.
(BalkanWeb)