Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha sot se Presidenti Donald Trump dëshiron që ligjvënësit e opozitës demokrate të hapin procedurën e shkarkimit të tij nëpërmjet hetimit të akuzave. Megjithatë, ajo shtoi se çështja nuk ka marrë ende formën e duhur për të nisur zyrtarisht procesin.


Ajo tha se disa hetime që vazhdojnë të kryhen nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët “mund të na çojë drejt nisjes së procedurave për shkarkimin”, por se për momentin “nuk kemi mbërritur ende në atë pikë”. Dhjetëra ligjvënës demokratë dhe një republikan, nga totali i 435 ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë bërë thirrje për fillimin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit. Sidoqoftë, edhe në rast se Dhoma e Përfaqësuesve e ndërmerr këtë hap, nuk ka gjasa që Senati i kontrolluar nga republikanët të shkarkojë Presidentin Trump.


Zonja Pelosi tha megjithatë se kjo “është çfarë ai (Presidenti Trump) dëshiron që ne të bëjmë”. Ajo tha se demokratët “do të ndjekin faktet” në mbledhjen e informacionit për veprimet financiare të zotit Trump, të presidencës së tij 28-muajshe dhe për konkluzionet e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, si dhe nëse Presidenti Trump u mundua ta pengojë këtë hetim.


Zonja Pelosi tha se ajo i do të mirën Presidentit Trump, por se mendon që zyrtarët e administratës dhe të afërmit e tij duhet të “ndërhyjnë” tek ai, për të mirën e vendit. Ky prononcim i zonjës Pelosi rreth lëvizjeve të mundshme për ngritje akuzash me qëllim shkarkimin e Presidentit Trump, u bë vetëm pak orë pasi Presidenti sulmoi sërish ligjvënësit demokratë, duke u shprehur se ata janë “partia e arritjes së asgjëje!”.

“Gjithçka që ata janë mprehur të bëjnë, gjashtë komisione, është shpërdorim kohe, ditë pas dite, në përpjekje për të gjetur çfarëdolloj gjëje që mund të dukej e keqe për mua”, shkruajti në Twitter, Presidenti Trump, ditën pasi braktisi bisedimet në Shtëpinë e Bardhë me zonjën Pelosi dhe udhëheqësin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer, për shpenzimet për infrastrukturën. Presidenti Trump ishte i revoltuar nga pretendimi i zonjës Pelosi se ai ishte “angazhuar në një mbulim të së vërtetës”, koment të cilin ajo e përsëriti të enjten. Presidenti u shpreh se nuk do të fliste për aspekte të politikave me udhëheqësit demokratë për sa kohë që ata vazhdojnë me hetimet.

Etiketa: