Marrëveshja tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të përfshihet për diskutim në Kongres, nëse Brexiti minon të ashtuquajturën Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.


Pelosi ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk mund të lejohet që të rrezikojë marrëveshjen për paqe me Irlandën.


Komentet e saj kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Britania e Madhe do të jetë “e para në listë” për marrëveshje tregtare me SHBA-në.


Bolton i ka bërë këto deklarata pasi ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Rivendosja e kontrolleve kufitare në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor të këtij viti, konsiderohet rrezik për një marrëveshje të arritur më 1998, e cila i ka dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

“Pavarësisht rrethanave, Brexiti nuk duhet të lejohet që të rrezikojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë”, ka thënë Pelosi përmes një deklarate.

Bolton në anën tjetër, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mbështet një Brexit pa marrëveshje.

Bolton: SHBA-ja do ta mbështeste vendimin e Britanisë për Brexit pa marrëveshje

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: