Policia në Lushnjë ka arrestuar 3 persona, pasi dyshohet se mbanin në automjete kokainë, kanabis dhe lëndë eksplozive.
Një 17-vjeçar prej tyre u procedua në gjendje të lirë, pasi dyshohet se shpërndante drogë në afërsi të shkollave në Lushnjë.
“Lushnjë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Penaliteti”.
Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, lëndë eksplozive dhe armë e ftohtë.
Në pranga 3 shtetas dhe në hetim 1 tjetër, të cilët posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen, si dhe sendet e tjera të kundërligjshme.
Komisariati i Policisë Lushnjë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore, me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e rrethit, finalizoi në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve e DVP Fier, operacionin “Penaliteti”. Gjatë operacionit:
- u arrestua shtetasi E. L., 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në automjetin që drejtonte, u gjetën një sasi Cannabisi dhe kallëp lënde e dyshuar eksplozive artizanale;
- u arrestua shtetasi R. K., 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi iu gjetën doza Cannabisi dhe përforcues grushti;
- u arrestua shtetasi A. M., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në automjetin që drejtonte, u gjet një sasi Kokaine;
- u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, banues në Lushnjë, pasi iu gjetën dhjetëra doza Cannabisi, të cilat nga hetimet e deritanishme rezulton se do t’i shiste në afërsi të shkollave të qytetit të Lushnjës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
(Balkanweb)