Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, u shpreh të hënën se SHBA-ja do të përdorë të gjitha fuqitë diplomatike dhe ekonomike për të kthyer demokracinë në Venezuelë. Gjithashtu Pence shtoi se një shtet i dështuar aty po i kërcënon të gjithë amerikanët. “Presidenti Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se nuk do të rrijë anash, përderisa Venezuela po bie në regjim diktatorial”, u tha Pence gazetarëve në Kartagjenë të Kolumbisë. “Një shtet i dështuar në Venezuelë kërcënon sigurinë e të gjithë hemisferës dhe banorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ndër të tjera Pence. Pence ka shtuar se është e mundshme një zgjidhje paqësore në Venezuelë. Gjatë javës së kaluar Trump ka kërcënuar me aksion ushtarak, deklaratë e cila është shoqëruar me kritika të mëdha nga vendet e rajonit. Mirëpo zv/presidenti Pence, pasi ka takuar disa familje nga Venezuela, ka thënë se SHBA-ja është e bindur në përdorimin e të gjitha masave ekonomike dhe diplomatike për ta parë demokracinë në këtë vend. “Regjimi është duke përjetuar ndryshime tani, dhe ne jemi dëshimtarë se Venezuela po përfundon në diktaturë”, ka thënë Pence.


Maduro, nga ana tjetër po kërkon rritjen e autoritetit të tij. Ai mbajti një protestë “anti-imperialiste”, gjatë ditës së hënë. Më shumë se 120 persona kanë vdekur në Venezuelë në protestat që kanë nisur në muajin prill, pas shqetësimeve për recension ekonomik dhe pakënaqësive të tjera në këtë vend. (o.k/BalkanWeb)