Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
DURRES – Pendohet Orialda Kajtazi. 18-vjeçarja, e cila dy ditë më parë u konsiderua nga prokuroria e Durrësit si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është “dorëzuar” vetëm pak orë pasi ka mbërritur në burgun e grave në Tiranë. Të paktën kështu kanë deklaruar dje për “Gazeta Shqiptare” prindërit e saj, Anila dhe Hiqmet Kajtazi. “Më në fund, pas ferrit të gjithë këtyre ditëve morëm një lajm të mirë. Vajza e mesit, të cilën gjykata e Durrësit e la në qeli, na ka telefonuar 3 herë nga burgu 325 në Tiranë. Ajo na tha se ka gabuar rëndë me ne familjarët e saj dhe se është penduar shumë. Orialda na kërkoi që të gjenim mundësinë që ajo të komunikojë me motrën e vogël, Klevisën, me qëllim që ta bindë për të mos shkuar në qendrën e rehabilitimit, por të kthehet në shtëpi”, – tha babai i adoleshentes, Hiqmet Kajtazi. Sipas këtij të fundit, Orialda i ka kërkuar falje jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, Anilës dhe vajzës së madhe, Alketës. Ndërkohë, kryefamiljari u shpreh se, pavarësisht se dy vajzat e vogla i bënë gjëmën, i helmuan, u vodhën kursimet, i dogjën shtëpinë, e futën në sherr me gjithë fisin si dhe e turpëruan para të gjithëve, i ka falur dhe se do që ato të kthehen pranë familjes. Ndërkohë, mësohet se Orialda Kajtazi është gjendur “ngushtë” sapo ka shkelur në burgun e grave, pasi këto të fundit e kanë qortuar dhe “hequr veshin” se ishte sjellë shumë keq me familjen dhe se pavarësisht çdo rrethane nuk duhet të hedhë poshtë prindërit dhe familjarët e saj.
TELEFONATAT
Atë që nuk e bëri në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit dhe në sallën e gjyqit, Orialda Kajtazi e bëri sapo ka mbërritur në burgun e grave në Tiranë. Ajo ka kërkuar falje për të gjitha shqetësimet që i solli familjes në pesë javët e fundit. Një zile e rënë nga një telefon fiks rreth orës 19:00 të së hënës ka trazuar bashkëshortët Kajtazi dhe vajzën e tyre të madhe, të cilët që prej më shumë se një muaji janë terrorizuar nga “ndodhitë e çuditshme” në familjen e tyre. Hiqmet Kajtazi ka kapur telefonin, ndërsa ka mbetur i shtangur nga një zë gruaje, e cila i ka thënë që t’i fliste së bijës, Orialdës. “Sapo ra telefoni e hapa. Më doli një grua. Ajo më tha që vajza ime, Orialda është në burgun e grave në Tiranë dhe nëse dëshiroja të flisja me të. Nuk po më besohej, se vetëm pak orë para telefonatës, teksa ishim në gjykatën e Durrësit ime bijë nuk më hodhi as sytë. Unë fola me vajzën, e cila teksa qante më tha se kërkonte falje dhe se ishte penduar”, – pohoi Hiqmeti.
“Jam shumë krenare që të kërkoj falje, pasi e kam kuptuar që kam bërë gabim të rëndë me të gjithë familjen, nuk mund të rri dot larg prej familjes. Dua që edhe mami të më falë për këtë që bëra”, – ka thënë 18-vjeçarja. Ndërsa, i ati i ka kërkuar që të bindë të motrën, Klevisën, të heqë dorë prej kërkesës së bërë prej saj për urdhër mbrojtjeje. “I thashë Orialdës të gjejë mundësinë të flasë me motrën e vogël e ta bindë që të kthehet në shtëpi, sepse vetëm fjalën e saj dëgjon. Sikur Klevisa të mos shkonte te shërbimi social shtetëror, edhe Ola do të dalë nga burgu, sepse ne duam të jemi bashkë”, – u shpreh 50-vjeçari Kajtazi. Ndërkaq, telefonatat kanë vijuar dhe ditën e djeshme. Mësohet se Orialda Kajtazi u ka telefonuar prindërve të saj edhe dy herë të tjera, para se të zhvillohej seanca gjyqësore për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për motrën e saj 14-vjeçare. “Orialda na mori edhe dy herë të tjera sot në telefon. Folëm para se të shkonim në gjykatë. Na kërkoi që të bënim të mundur një takim me motrën e vogël, Klevisën. Tha që ishte bërë pishman dhe duhej të luftonim që Klevisa të vijë në shtëpi. Tha që donte të fliste me të motrën në telefon, ta bindte, por është mbyllur në burg”, thanë Anila dhe Alketa Kajtazi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)