Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Telefonata e një fëmije se i kishin marrë peng babain në mes të rrugës alarmoi Policinë e Tiranës. Duket se situata bëhej edhe më shqetësuese, pas pengmarrjes në Durrës, ku Gazmend Çollaku u rrëmbye nga persona që mbanin uniforma të ngjashme me policinë, e më pas u gjet i masakruar dhe i hedhur anë rrugës në fshatin Murqin të Krujës. Për fat pengu i djeshëm do të lirohej për tri orë, dhe më pas rezultoi se gjithçka lidhej me një përplasje mes kushërinjsh të komunitetit rom, për çështje të një borxhi.

Ylber Kera, pronar i një lokali në Allias, ishte duke ecur në bulevardin pranë shkollës “Bajram Curri”, bashkë me të birin 7 vjeç, kur pranë tij është afruar një automjet tip “Benz” dhe pas një debati verbal, ai është marrë dhe futur me forcë në makinë. Pas tri orësh ndjekje, policia ka mundur ta gjejë pengun. Në fakt, pengmarrësit e kishin lënë atë në afërsi të “Siri Kodrës” dhe kur u gjet nga policia, Ylber Kera rezultonte të ishte në gjendje të dehur.

Ai u rrëfeu hetuesve, se ishte kushëriri i tij, Xhevahir Kera ai që i kërkoi një shumë prej 150 mijë lekësh, dhe meqë nuk ia dha, pasi nuk kishte aq para, atëherë ai e detyroi të ngjitej në makinë. Por, pasi është bindur që nuk kishte para, Kera u shpjegoi hetuesve, që kushëriri e la të lirë. Dy personat e tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarje nuk janë identifikuar ende nga policia, pasi Kera nuk i ka njohur, për shkak se janë njohje miqësore e kushëririt të tij. Tre të dyshuarit po kërkohen nga policia.

NGJARJA SIPAS POLICISË
Rreth orës 10:30, Ylber Kera, 39 vjeç, pjesëtar i komunitetit rom, ka qenë duke u kthyer në banesën e tij së bashku me djalin e tij 7- vjeçar, dhe në atë moment në rrugë ka qenë kushëriri i tij, Xhevahir Kera i cili i ka kërkuar një sasi lekësh borxh (prej 150 mijë lekësh të vjetra).

Sipas policisë, Ylberi i ka thënë se nuk kishte lekë me vete, por kushëriri e ka marrë me forcë në automjetin e tij tip “Benz” duke i kërkuar me patjetër atë sasi lekësh. Pasi e ka mbajtur në mjet për pak kohë dhe është bindur që ky shtetas nuk dispononte lekë me vete, e ka zbritur në rrugën “Siri Kodra”. “Në momentin kur Ylber Kera u gjet nga policia, ishte ulur në një lokal në gjendje të dehur”, thanë burimet.

KËRKESA PËR PARA
Ylber Kera, i cili u mor në pyetje për disa orë në Komisariatin Nr.4 në Tiranë, u tha hetuesve se kushëriri i tij herë pas here u kërkonte lekë borxh. Madje, ka pasur raste kur kushëriri i merrte edhe sendet personale, si celularë, në momentin kur nuk kishte të holla për t’i dhënë.

Dje, ai ka shpjeguar se nuk u gjendeshin para dhe ndaj kushëriri i tij Xhevahiri e mori me forcë, për ta lënë të lirë më pas. Policia, e cila tashmë ka identifikuar të paktën njërin nga personat e përfshirë në krim, konkretisht Xhevahir Kerën, e ka shpallur këtë të fundit në kërkim. Gjithashtu po punon për të identifikuar dy personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: