Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ekipin e tij negociator që të vazhdojë përpjekjet për lirimin e pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe përpjekjet për një armëpushim përfundimtar ende nuk kanë dhënë rezultat.
Sipas një deklarate të zyrës së kryeministrit, Netanyahu zhvilloi një takim të nivelit të lartë me ekipin negociator dhe zyrtarë të sigurisë për të vlerësuar situatën aktuale dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm në lidhje me çështjen e pengjeve.
“Benjamin Netanyahu mbajti një takim sonte për të vlerësuar çështjen e pengjeve me ekipin negociator dhe zyrtarë të lartë të sigurisë”, tha zyra e kryeministrit izraelit.
Kjo lëvizje vjen në të njëjtën ditë kur Xhihadi Islamik Palestinez publikoi një video gati shtatë minutëshe, ku shfaqet Rom Braslavsky, një shtetas me shtetësi të dyfishtë gjermano-izraelite, i rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.
Ndërkohë, një zyrtar i Hamasit deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve se grupi nuk ka kthyer ende përgjigje ndaj një propozimi izraelit për armëpushim. Ai gjithashtu nënvizoi se Hamasi nuk pranon të jetë pjesë e asnjë diskutimi që ka për qëllim çarmatimin e tij një kërkesë që Izraeli e ka paraqitur si kusht për përfundimin përfundimtar të luftës.
Konflikti në Rripin e Gazës nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të papritur të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë 1,218 persona dhe 251 të tjerë u rrëmbyen. Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite që pasoi, më shumë se 50,000 persona janë vrarë në territorin palestinez, shumica e tyre civilë, sipas të dhënave të autoriteteve lokale dhe organizatave ndërkombëtare.
(BalkanWeb)